Showbiz

Djali i Vin Dieselit me rol të vogël në filmin “Fast & Furious 9”

Filmi i shumëpritur nga publiku, sidomos ata të pasionuar pas skenave aksion, “Fast & Furious 9”, do ta përfshijë edhe një fytyrë të re. ai është djali dhjetë vjeçar i yllit të këtyre filmave, Vin Dieselit.

Vincent Sinclair do ta shënojë debutimin në ekran të madh gjatë verës, me të filluar së shfaquri ky film në të cilin e portretizon personazhin e babait të tij në moshë të re, Dominic Toretto.

Megjithëse një rol i vogël, bëhet e ditur se 10-vjeçari Vincent është paguar një mijë dollarë në ditë për angazhimin e tij.

Image

Traileri fillestar i këtij projekti, e shfaq personazhin e njohur me emrin Dom (të portretizuar në film nga Vin Diesel) të pensionuar nga garat e shpejta me vetura dhe duke rregulluar traktorë në një fermë, ku jeton i qetë me familjen e tij. Por, kjo nuk mund të jetë e tëra, pasi filmat “Fast & Furious” njihen për skenat aksion të mbushura me adrenalinë.

Ndërkohë, Cardi B po ashtu i është bashkuar kastës së aktorëve të këtij filmi, ku përveç Vin Dieselit luajnë edhe: Michelle Rodriguez, Tyrese Gibson, Jordana Brewster, Chris Bridges (aka Ludacris), Nathalie Emmanuel, Helen Mirren, Charlize Theron, John Cena dhe Ozuna.

“Fast & Furious 9” planifikohet të lansohet nëpër kinema më 25 qershor.