Showbiz

Shtyhet sërish lansimi i filmit “Venom 2”

Foto: AP/Associated Press

Vazhdimi i radhës i filmit “Venom”, i cili zyrtarisht e mban titullin “Venom: Let There Be Carnage”, ishte planifikuar të fillojë së shfaquri nëpër kinema nga 2 tetori vitit 2020 por për shkak të pandemisë, studioja filmike prapa këtij projekti me buxhet të lartë, “Sony Pictures”, ishte dashur ta shtyjë atë për 25 qershor të vitit 2021. Dhe tani bëhet e ditur se data e lansimit të këtij projekti nëpër kinema është shtyrë sërish, për në muajin shtator.

Në filmin e ardhshëm, Tom Hardy e përsërit rolin e Venomit krahas personazhit të keq Carnage, i cili në këtë vazhdim portretizohet nga aktori Woody Harrelson. Krahas tyre në film luajnë edhe aktorë tjerë yje, si Stephen Graham, Naomie Harris dhe Michelle Williams.

“Venom 2” vjen në regji të Andy Serkisit, i cili e ka marrë këtë detyrë nga regjisori, Ruben Fleischer. Në shkurt të vitit të kaluar ai bëri shaka duke thënë se filmi i tij do të jetë drithërues, duke mos ndarë detaje specifike rreth tij.

“Me të vërtetë nuk mund të tregoj shumë për filmin, por jemi në ditën e 40-të të xhirimeve, të cilat po shkojnë shumë mirë dhe filmi është vërtet drithërues. E kemi Tom Hardyn në qendër të tregimit dhe po e vërejmë një thellim në raportin mes tij dhe Venomit. Natyrisht e kemi edhe një personazh të keq në film, por nuk mund të tregoj më shumë rreth tij. Thjesht ju siguroj se gjithçka po shkon mirë me xhirimet e filmit dhe e kemi përfshirë një kastë të mrekullueshme të aktorëve në të”, kishte deklaruar regjisori Serkis.

Filmi i parë “Venom” ishte lansuar në vitin 2018, me një buxhet të realizimit prej 100 milionë dollarësh. Ndërsa, nga shfaqja nëpër kinematë botërore, filmi pati arritur t’i arkëtojë rreth 856 milionë dollarë.

“Venom: Let There Be Carnage” planifikohet të fillojë së shfaquri për publikun e gjerë, më 12 shtator të këtij viti.