Showbiz

Michelle Obama nuk është befasuar nga deklaratat për racizëm në familjen mbretërore

Foto: AP/Associated Press

Ish-zonja e parë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Michelle Obama, tha se nuk është befasuar shumë me t’i dëgjuar deklaratat e dukeshës Meghan Markle për racizëm përbrenda familjes mbretërore britanike.

Në një intervistë të fundit për emisionin “Today” të kanalit NBC, Obama u pyet rreth intervistës bombastike të Meghan Markle dhe Princit Harry me prezantuesen, Oprah Winfrey.

39-vjeçarja Markle, e cila është meleze, i tha prezantueses Winfrey që dikush në familjen mbretërore i kishte shprehur brenga Harryt rreth ngjyrës së lëkurës së djalit të tyre, Archie, ende pa lindur.

Rreth këtyre deklaratave Obama tha: “Siç kam thënë edhe më herët, raca nuk është një konstrukt i ri në këtë botë për njerëzit me ngjyrë, prandaj nuk ishte një befasi e plotë për mua t’i dëgjoja përjetimet e saj dhe t’i artikuloja ato që ajo i ka ndier. Ajo çka unë shpresoj dhe çka mendoj më së shumti, është se para së gjithash, këtu bëhet fjalë për një familje. Prandaj unë lutem të ketë falje dhe shërim mes tyre, në mënyrë që të kenë mundësi ta shfrytëzojnë këtë eksperiencë si një mësim për të gjithë ne”.

Në një tjetër intervistë të publikuar të hënën, 57-vjeçarja Obama tha se shpreson që çifti, Meghan dhe Harry, ta gjejnë mënyrën për t’u pajtuar me familjen mbretërore.

“Kur mendoj për atë që Meghan dhe Harry po kalojnë, mendoj edhe për rëndësinë e familjes, prandaj shpresoj dhe lutem që të ketë falje ndërmjet tyre, të ketë qartësi dhe dashuri dhe në një kohë të caktuar të ketë mundësi t’i zgjidhin problemet mes tyre dhe familjes mbretërore,” ka deklaruar ish-zonja e parë.

Michelle Obama është përkrahëse e kamotshme e Markleit, të cilën në një post të vitit 2019 në Instagram e kishte quajtur mikeshë dhe udhëheqëse të matur dhe të kujdesshme.

Mbretëresha Elizabeta e Dytë pas deklaratave të çiftit mbretëror në intervistën e fundit, ka deklaruar se brengat për racizëm brenda familjen mbretërore janë shqetësuese, dhe do t’iu adresohen atyre në mënyrë private.