Showbiz

“Aerosmith” e ka shtyrë turneun evropian për vitin 2022

Foto: AP/Associated Press

Steven Tyler dhe anëtarët e tjerë të bendit “Aerosmith”, i kanë shtyrë datat e koncerteve të planifikuara për herë të dytë, si pasojë e pandemisë së koronavirusit. Bendi fillimisht i kishte ndryshuar data e koncerteve të vitit 2020 për verën e këtij viti, por rokerët e famshëm janë detyruar që koncertet që janë pjesë e turneut të tyre evropian, ti ricaktojnë për muajt qershor dhe korrik të vitit të ardhshëm.

Ata thonë se këtë vendim e kanë marrë për t’u siguruar për mirëqenien e fansave të tyre.

Të gjitha biletat e blera deri më tani, do të jenë të vlefshme edhe për datat e reja të koncerteve.

“Për shkak të situatës aktuale me pandeminë dhe për sigurinë e adhuruesve tanë, turneu evropian i vitit 2021 është shtyrë për një vit. Ju lutemi të na ndiqni për më shumë informata rreth datave të reja të koncerteve. Të gjitha biletat e blera, vlejnë për koncertet tona të ardhshme”, ka deklaruar grupi përmes një komunikate për media.

Koncertet e planifikuara të mbahen nëpër Britani të Madhe tani janë shtyrë, dhe legjendat e rokut do të performojnë në arenën “O2” të Londrës më 22 qershor të vitit 2022, në arenën “Manchester” më 28 qershor dhe në arenën “FlyDSA” në Sheffieldit, më 1 korrik të vitit të ardhshëm.

Turneu vjen pas koncerteve rezidente të bendit “Deuces Are Wild” në Las Vegas.

Rokerët e njohur për hite të shumta përfshirë këtu këngën “I Don’t Want to Miss a Thing”, për herë të fundit mbajtën koncert në Britani të Madhe në vitin 2017, kur ishin performuesit kryesor në festivalin “Download”.

Ndërkohë kitaristi, Joe Perry, i cili performon edhe me muzikantët Alice Cooper dhe Johnny Depp në grupin “Hollywood Vampires”, së fundmi deklaroi se do t’i pëlqente ta realizojë një album të ri me bendin “Aerosmith”, kur të jetë koha e duhur. Muzikanti 70-vjeçar tha se po ndihej i inspiruar për të krijuar muzikë të re me grupin, i cili përbëhet edhe nga Steven Tyler, Joey Kramer, Brad Whitford dhe Tom Hamilton.

Albumi i fundit i bendit “Aerosmith” i incizuar në studio ishte lansuar në vitin 2012, dhe e mban titullin “Music from Another Dimension!”.