Showbiz

Shtyhet lansimi i filmit “A Quiet Place Part II” për muajin shtator

Descriptive Text

Lansimi i filmit “A Quiet Place Part II” është shtyrë sërish dhe tani ky projekt i shumëpritur kinematografik do të vijë para publikut në shtator të vitit 2021.

Vazhdimi i dytë i filmit të suksesshëm në arkat filmike është projekti i radhës që e ka shtyrë sërish datën e lansimit nëpër kinema, pas filmave të tillë si “Morbius” me protagonist Jared Leton dhe filmin e radhës që flet për agjentin James Bond, “No Time To Die”.

John Krasinski, më së miri i njohur për rolin e tij në serinë “The Office” dhe filmin “Jack Ryan”, e ka bashkëshkruar, ka luajtur dhe e ka bërë regjinë e filmit të parë dhe të dytë të zhanrit horror.

“A Quiet Place Part II” fillimisht ishte planifikuar të lansohej nëpër kinematë e Britanisë së Madhe, më 20 mars të vitit 2020, para se të shpërthente pandemia e koronavirusit dhe ta detyronte shtetin të futej në karantinë. Nga atëherë data e lansimit të tij nëpër kinema ka ndryshuar katër herë, nga 20 marsi për 4 shtator të vitit 2020, pastaj ishte shtyrë për 21 prill të vitit 2021 dhe tani përfundimisht besohet se do të lansohet nëpër kinematë botërore, më 17 shtator të këtij viti.

Në nëntor të vitit të kaluar studioja filmike prapa këtij projekti “Paramount Pictures” e bëri të ditur lajmin se po bëhet gati për ta realizuar një vazhdim të tretë të filmit “A Quiet Place”.

Sipas portalit “Deadline”, studioja e famshme e ka angazhuar Jeff Nicholsin, i njohur për filma të tillë, si “Midnight Special” dhe “Take Shelter”, për ta shkruar dhe drejtuar filmin, i cili bazohet në idenë origjinale të aktorit dhe regjisorit John Krasinski.

Detaje rreth temës që do të trajtojë vazhdimi i tretë i këtij projekti të suksesshëm në arkat filmike nuk janë zbuluar ende për publikun, por, sipas “Deadline”, nuk do të jetë vazhdim i historisë së dy filmave të parë, por në fakt do të bazohet në botën pas Apokalipsit, ku të mbijetuarit mundohen të qëndrojnë të gjallë, duke jetuar në qetësi të plotë teksa ndiqen nga përbindëshat.

Studioja “Paramount” planifikon që vazhdimin e tretë ta lansojë nëpër kinema në vitin 2022, por mbetet të shihet nëse do të kenë mundësi ta xhirojnë me kohë, shkaku i pandemisë së vazhdueshme të koronavirusit.