Showbiz

Meghan Trainor është bërë nënë

Descriptive Text

Këngëtarja e njohur amerikane, Meghan Trainor dhe bashkëshorti i saj aktor, Daryl Sabara, e kanë mirëpritur në jetë fëmijën e parë.

Ylli i hitit “All About That Bass” e solli në jetë djalin të hënën më 8 shkurt, por e publikoi lajmin e lindjes së tij në Ditën e të Dashuruarve.

Foshnjën çifti i njohur i showbizit ka vendosur ta pagëzoj, Riley.

Me postimin e fotografive të para të djalit në Instagram, Meghan ka shkruar: “Ky djalosh i ëmbël është dashur të lindë në Ditën e të Dashuruarve, por ne patën rastin ta takojmë atë të hënën më 8 shkurt, një javë para kohe. Jemi shumë të dashuruar me të… Faleminderit Daryl Sabara për dhuratën më të mirë në jetë! Mirësevjen në këtë botë Riley”.

 

 

Në një intervistë të fundit, këngëtarja 27-vjeçare Trainor e kishte pranuar se po ndihet e frikësuar ta sjell në jetë foshnjën e saj, pa praninë e së ëmës dhe familjes së ngushtë. Kjo për shkak të masave anti-Covid, të cilat e bëjnë të pamundur që në sallën e lindjes të shoqërohet nga shumë persona.

Pavarësisht pandemisë dhe shtatzënisë, Meghan Trainor nuk i ka lënë anash angazhimet në muzikë. Në fund të vitit 2020 ajo e realizoi ëndrrën e kamotshme me albumin e saj të fundit, “A Very Trainor Christmas”.

Krishtlindjet gjithnjë kanë pasur kuptim të rëndësishëm për Meghanin, pasi ajo gjithmonë kishte qenë e obsesionuar me këtë festë sepse ditëlindja e saj është më 22 dhjetor, të cilën e ka festuar me dekorimet e Krishtlindjeve. Kështu, ajo gjithnjë është ndier sikur kjo është festa e saj. Këngëtarja po ashtu është fejuar për ditëlindje, prandaj dritat dhe dekorimet e Krishtlindjeve i sjellin shumë emocione.

Albumi “A Very Trainor Christmas” përbëhet nga ‘cover’ të këngëve klasike të Krishtlindjeve si: “White Christmas”, “Silent Night” dhe “Winter Wonderland”, përfshirë këtu edhe gjashtë këngë të reja për festat e fundvitit, të cilat Trainor i ka shkruar bashkë me vëllezërit e saj gjatë kohës së karantinës. Titulli i albumit, e nderon angazhimin dhe kontributin e familjes së saj në realizimin e këtij incizimi.