Showbiz

Nicky Jam dhe Romeo Santos sjellin këngën e re “Fan de Tus Fotos”

Descriptive Text

Yjet e muzikës latine, Nicky Jam dhe Romeo Santos, i kanë bashkuar forcat për realizimin e videoprojektit të ri muzikor, “Fan de Tus Fotos”.

Kënga i takon zhanrit ‘reggaeton’ dhe me tu publikuar në platformën muzikore YouTube, është pritur mirë nga fansat e dy këngëtarëve.

Kjo nuk është hera e parë që kjo dyshe po bashkëpunon. Në vitin 2017 së bashku me artistin Daddy Yankee, e lansuan këngën me titull “Bella Y Sensual” e cila u pozicionua në vendin e gjashtë të toplistës “Billboard” të këngëve më të mira Latine.

Në lajme tjera, në fillim të këtij viti, Nicky Jam e shënoi debutimin si prezantues i emisionit, me lansimin e shout të tij i cili përmban intervista të ndryshme dhe titullohet, “The Rockstar Shoë”. Ky emision transmetohet live në platformën YouTube.

Në episodin e parë Jam të ftuar e kishte mikun dhe kolegun e tij, superyllin kolumbian Maluma, ndërsa deri më sot ka realizuar intervista me artist të shquar latin, si El Alfa dhe Karol G.

Gjatë intervistës së fundit me këngëtaren e njohur dhe shumë të suksesshme, Karol G, Nicky e bëri publik lajmin e lansimit të albumit të ri muzikor, gjatë këtij viti.

“Jam shumë i lumtur. Mendoj se ky do të jetë albumi im më i mirë i realizuar deri më tani”, citohet të ketë thënë këngëtari i lindur në Massachusetts të Amerikës.

Nicky Jam e gëzon një karrierë të suksesshme në skenën e muzikës latine, me realizimin e hiteve të shumta. Deri më sot ai i ka lansuar 5 këngë të cila i numërojnë më shumë se 1 miliard klikime në YouTube, dhe shquhet për bashkëpunime të suksesshme me yje të ndryshëm të muzikës, përfshirë këtu këngëtaren kosovare, Era Istrefi. Kjo dyshe në bashkëpunim me aktorin Will Smith, e patën realizuar himnin e Kampionatit Botëror të Futbollit në vitin 2018, “Live It Up”.

Jam së fundmi është shndërruar edhe në aktor, duke luajtur role të vogla në projekte të mëdha hollywoodiane, si “XXX: Return of Xander Cage”, “Bad Boys for Life” dhe “Tom and Jerry”.