Showbiz

“Globi i Artë” bën historinë me tre nominime për gratë regjisore

Tri regjisore gra do të garojnë për të parën herë në ceremoninë e sivjetme të “Globit të artë”, pas disa dekadash të përshkuara rrallëherë me një grua të vetme të propozuar për këtë kategori.

Gjatë gjithë historisë 78-vjeçare të ceremonisë janë nominuar vetëm pesë gra regjisore: Sofia Coppola, Jane Campion dhe Ava DuVernay, derisa Kathryn Bigelow dhe Barbra Streisand janë nominuar nga dy herë. Vetëm Streisandi kishte fituar për filmin “Yentl” më 1983.

Megjithëkëtë, sivjet gratë përbëjnë shumicën e listës së ngushtë: Regina King për “One Night in Miami”, Chloe Zhao për “Nomandland” dhe Emerald Fennel - regjisore kjo britanike që ka bërë nam vitin e shkuar për portretizimin e rolit të Camilla Parker Bowlesit në serinë “The Crown” – për komedinë e saj të hakmarrjes për përdhunim “Promising Young Woman”.

Nominimet e sivjetme janë përgjithësisht një përzierje mes projekteve të reja dhe të vjetra, ku dominojnë të gjitha seritë dhe filmat që janë shikuar nga shtëpia gjatë pandemisë.

Në kategorinë “Seria më e mirë dramë” sivjet janë nominuar projektet: “The Crown”, “Lovecraft Country”, “The Mandalorian”, “Ozark” dhe “Ratched”. Ndërkaq, në garë për çmimin “Seria më e mirë komedi” janë: “Emily in Paris”, “The Flight Attendant”, “Schitt’s Creek”, “The Great” dhe “Ted Lasso”.

Garues për kategorinë “Aktori, përkatësisht aktorja më e mirë në dramë” sivjet janë aktorët Jason Batemen, për rolin e tij në serialin “Ozark”, Josh O’Connor për performancën në “The Crown”, Bob Odenkirk për serialin “Better Call Saul”, Al Pacino për “Hunters”, Matthew Rhys për rolin e tij në serialin “Perry Mason”, Olivia Colman për performancën në serinë e suksesshme “The Crown”, Jodie Comer për “Killing Eve”, Emma Corrin për “The Crown”, Laura Linney për serialin “Ozark” dhe Sarah Paulsen për performancën e vlerësuar lartë në “Ratched”.

Të nominuar për performancat e jashtëzakonshme në seri komike janë aktorët: Don Cheadle, Nicholas Hoult, Eugene Levy, Jason Sudekis, Ramy Youssef, si dhe aktoret Lily Collins, Kaley Cuoco, Elle Fanning, Jane Levy dhe Catherine O’Hara.

Për “Globin e Artë” në film janë nominuar “The Father”, “Mank”, “Nomadland”, “Promising Young Woman” dhe “The Trial of the Chicago 7”. Kurse për kategorinë “Filmi më i mirë komedi” - “Borat Subsequent Moviefilm”, “Hamilton”, “Music”, “Palm Springs” dhe “The Prom”.

Për “Aktorin dhe aktoren më të mirë në dramë” janë propozuar Riz Ahmed, me rolin e tij në filmin “Sound of Metal”, Chadwick Bosemani për performancën në “Ma Rainey’s Black Bottom”, Anthony Hopkins për filmin “The Father”, Gary Oldman për “Mank”, Tahar Rahim për rolin në “The Mauritanian”, si dhe aktoret Viola Davis për “Ma Rainey’s Black Bottom”, Andra Day për filmin “The United States vs. Billie Holiday”, Vanessa Kirby për “Pieces of a Woman”, Frances McDormand për performancën në “Nomadland” dhe Carey Mulligan për projektin “Promising Young Woman”.

Për çmimin tjetër të rëndësishëm në ceremoninë “Globi i Artë”, atë të “Aktorit dhe aktores më të mirë në komedi”, do të garojnë Sacha Baron Coheni, James Cordeni, Lin-Manuel Miranda, Dev Pateli, Andy Sambergi, Maria Bakalova, Kate Hudsoni, Michelle Pfeifferi, Rosamund Pike dhe Anya Taylor-Joy.

Ndërkaq, për çmimin “Regjia më e mirë në film”, pos regjisoreve King, Zhao dhe Fennel, janë nominuar edhe David Fincheri për filmin “Mank” dhe Aaron Sorkini për “The Trial of the Chicago 7”.

Këtë vit skenaristi dhe producenti veteran Norman Lear do ta pranojë shpërblimin për arritje jetësore “Carol Burnett Award”, kurse aktorja dhe aktivistja e famshme hollywoodiane, Jane Fonda, do të nderohet me çmimin special “Cecil B. deMille Award”, i cili nderon kontributin në industri të filmit dhe televizionit.

Edicionin e 78-të të ceremonisë së përvitshme “Globi i Artë” do ta prezantojnë për të katërtën herë radhazi aktoret e komedisë Tina Fey dhe Amy Poehler. Ngjarja, e cila zakonisht e fillon sezonin e shpërblimeve në Hollywood, do të mbahet të dielën më 28 shkurt, në formatin virtual, ndërsa do të transmetohet direkt në kanalin “NBC”.