Showbiz

Zbulohet titulli i vazhdimit të katërt të filmit “The Matrix”

Foto: AP/Associated Press

Titulli i vazhdimit të katërt të filmit “The Matrix”, besohet se tashmë është zbuluar.

Pas shtyrjes së vazhdueshme të datës së lansimit nëpër kinema, si pasojë e pandemisë së koronavirusit, personazhet shumë të dashura për publikun, Neo dhe Trinity, do të rikthehen në ekran të madh më 22 dhjetor të vitit 2021.

Dhe sipas raportimeve të fundit në media dhe portale të ndryshme, filmi do ta mbajë titullin “The Matrix Resurrections”.

Titulli i filmit i cili është mbajtur i fshehtë nga krijuesit e këtij projekti, u zbulua rastësisht kur një artiste e grimit e cila ka punuar me kastën e aktorëve, e ndau në Instagramin e saj një dhuratë të cilën e kishte pranuar nga producentët, Lana Wachowski dhe James McTeigue, dhe ku shfaqej titulli potencial i filmit të ri.

Keanu Reeves rikthehet në rolin e protagonistit Neo, derisa aktorja Carrie-Anne Moss edhe një herë e portretizon personazhin, Trinity. Në këtë projekt, dyshja e njohur e hollywoodit gjithashtu bashkohet me producenten dhe regjisoren, Lana Wachowski. Në një intervistë të fundit, ylli i vazhdimit të katërt të “The Matrixit”, Jessica Henwick, tha se beson që filmi i ri do ta ndryshojë industrinë e filmit, derisa Keanu Reeves e përshkroi atë si një tregim inspirues i dashurisë.

Pjesë e kastës së aktorëve të vazhdimit të katërt të filmit, do të jetë ylli i filmave “Aquaman”, “The Greatest Showman” dhe “Watchmen”, Yahya Abdul-Mateen. Sipas raportimeve nga “Variety”, aktori do ta ketë një rol protagonist në film, derisa disa njerëz kanë spekuluar se ai do ta portretizojë personazhin Morpheus në moshë të re.

Aktori tjetër që është konfirmuar si pjesë e kastës së këtij projekti, është ylli i serisë “How I Met Your Mother, Neil Patrick Harris, i cili gjithashtu besohet se e ka një rol të rëndësishëm në film.

“The Matrix Resurrections” lansohet nëpër kinema dhe platformën digjitale HBO Max, më 22 dhjetor të këtij viti.