Showbiz

Dua Lipa ju mëson si të vallëzoni

Foto: AP/Associated Press

Përveç talentit në muzikë dhe bukurisë rrezatuese, Dua Lipa shquhet edhe për sensin e saj të humorit.

Këngëtarja me prejardhje nga Prishtina dhe famë botërore, ka arritur të përfshihet në ballinën e muajit shkurt të revistës prestigjioze “Vogue”, në Britani të madhe. Përveç një fotosesioni që e sjell Lipën me një stil tërësisht ndryshe dhe të veçantë, “British Vogue” e ka postuar në kanalin zyrtar në YouTube edhe një video, ku pop këngëtarja shfaqet duke e mësuar një grup të rinjsh për të vallëzuar.

Edhe pse me të debutuar në skenë, ylli i hitit “New Rules” kishte marrë kritika të shumta për faktin se nuk di të vallëzojë në skenë, ajo ka vendosur t’iu kundërpërgjigjet këtyre kritikave me humor dhe sarkazëm.

“Për sa kohë më kujtohet njerëzit më kanë thënë, Dua t’i ke lindur për të lëvizur, ti je një performuese aq natyrale, ne kurrë nuk do të mund të vallëzojmë sikur ti. Dhe unë dua t’iu them sot, po, keni të drejtë. Sigurisht se ju kurrë nuk do të jeni valltarë të mirë sikur unë, por kjo nuk është arsye e mjaftueshme për të mos provuar të bëheni valltarë. Unë jam Dua Lipa, dhe jam këtu sot për t’iu mësuar si të vallëzoni”.

Me këtë fjalim të këngëtares fillon videoja 3-minutëshe, që më pas shoqërohet edhe me shumë humor nga Lipa, e cila vjen edhe duke aktruar.

Këngëtarja me prejardhje kosovare, për herë të dytë përfshihet në ballinën e revistës prestigjioze “Vogue” në Britani të Madhe, e cila del në shitje më 8 janar. Ajo vjen me stil të flokëve të shkurtra të bardha, derisa në një fotografi tjetër brenda revistës, Lipa ndërron sërish stil dhe ngjason me një yll kinematografie.

Ylli i hitit “Don’t Start Now” gjithashtu e ka realizuar një intervistë për numrin e muajit shkurt të revistës, ku ndër të tjera ka folur për famën, dashurinë dhe faktin se 2020 ishte ndër vitet më të suksesshme për të.