Showbiz

Eilish paralajmëron epokë të re në muzikën e saj

Billie Eilish, ylli i hitit “Therefore I Am”, u ka thënë fansave të saj se shumë shpejt do t’i publikojë disa lajme të mëdha për sa u përket lansimeve të reja muzikore.

Këngëtarja, e cila e incizoi albumin e saj të dytë në karantinë bashkë me vëllain dhe bashkëpunëtorin e saj të kamotshëm, Finneas O’Connell, nëpërmjet një postimi në Instagram ka bërë të ditur se “viti 2021 do ta shënojë fillimin e një epoke për të”.

“Do të jetë fundi i një epoke dhe fillimi i një tjetre, të re për muzikën time. I kam disa lajmërime të rëndësishme dhe disa projekte të reja për t’i lansuar”, ka shkruar Eilish.

Duke u tallur, Eilish ka shtuar se nuk do t’u sjellë adhuruesve album të ri, në rast se vazhdojnë të bëjnë shaka me flokët e saj.

“Jam duke e realizuar një album për ju. Por nuk do ta lansoj po qe se vazhdoni të talleni me flokët e mia”, ka shkruar ajo.

Duke folur rreth albumit të ri, cili do të plasohet pas atij të vitit 2019 “When We All Fall Asleep, Where Do We Go?”, këngëtarja 19-vjeçare ka thënë se ky është incizimi i saj i preferuar dhe një prej veprave artistike më të mira që i ka realizuar deri më tani.

Ajo ka shtuar gjithashtu se realizimi i albumit të fundit ka qenë një përvojë e këndshme dhe e kënaqshme për të, dhe mezi pret që publiku mbarëbotëror ta dëgjojë atë.