Projekti i shumëpritur “Wonder Woman 1984”, është vazhdimi i dytë i filmit me superheroinën e famshme, të portretizuar nga aktorja Gal Gadot, pati performancë të dobët me të debutuar në Kinë, duke i arkëtuar vetëm 19 milionë dollarë nga shitja e biletave nëpër kinema. Kjo shumë është përgjysmë më e vogël se shuma e parashikuar nga ekspertët e filmit.
“Wonder Woman 1984” po ashtu ka shënuar hapje të dobët në tregun ndërkombëtar të filmit, duke i fituar 38 milionë dollarë nga shfaqja nëpër 32 territore të botës, një javë para se të lansohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më 25 dhjetor.
Filmi i parë “Wonder Woman” i publikuar tri vjet më parë, i kishte fituar gjithsej 38 milionë dollarë në javën e parë të shfaqjes në Kinë, ndërsa 91 milionë dollarë në total. Nëse vazhdon me këtë ritëm, parashikohet se vazhdimi i dytë i këtij filmi do ta ketë vështirë ta arkëtojë gjysmën e kësaj shume, në arkat filmike të Kinës.
Filmi i regjisores Patty Jenkins i realizuar me një buxhet prej 200 milionë dollarëve, është një nga projektet e shumta të Hollywoodit që është ndikuar rëndë nga kriza botërore e shëndetit. Pas shtyrjes së disa datave të lansimit, studioja filmike “Warner Bros.” muajin e kaluar e bëri të ditur se, të gjithë filmat e planifikuar për vitin 2021, do t’i publikojë në kinematë amerikane dhe në platformën digjitale HBO Max, në të njëjtën kohë.
Sipas analistëve, performance e dobët e filmit në tregun ndërkombëtar mund të jetë si rezultat i frikës së njerëzve nga koronavirusi, çka i ka shtyrë shumë shtete të cilat kishin tentuar t’i rihapin kinematë, që ti mbyllin ato sërish.
Kjo mund të jetë e vërtetë edhe për Kinën, ku arkat filmike në përgjithësi kanë pësuar rënie të arkëtimit të të hollave. Sipas raportimeve të fundit, krahasuar më vitin e kaluar, shitja e biletave nëpër kinematë e Kinës ka pësuar rënie prej 29 për qind në muajin tetor, dhe 51 për qind në muajin nëntor.
“Wonder Woman 1984” po ashtu është ballafaquar me një konkurrencë të vështirë nga filmi “The Rescue”, një film vendor që flet për një njësi shpëtimi brenda rojës bregdetare kineze. Ky projekt i ka arkëtuar gjithsej 35 milionë dollarë në tri ditët e para të shfaqjes nëpër kinematë e Kinës.
-
22 dhjetor 2020 16:00
-
Shpërndaje në: