Showbiz

Lewis Capaldi shpërngulet në Londër për ta përfunduar albumit të ri

Ylli i hitit “Someone You Loved”, Lewis Capaldi, besohet se është shpërngulur në kryeqytetin britanik për t’i kushtuar më shumë kohë, punës rreth finalizimit të albumit të dytë muzikor.

Thuhet se pavarësisht pandemisë së koronavirusit, këngëtari është spikatur në disponim të mirë nëpër rrugët e Londrës, derisa në Skoci kryeministrja, Nicola Sturgeon, së fundmi dha urdhër për mbylljen e mijëra bareve dhe restoranteve anembanë vendit, transmeton Koha.

Sipas deklaratave të disa burimeve të afërta të Capaldit për gazetën “The Sun”, kantautori 24-vjeçar i ka disa angazhime të cilët duhet t’i ndjekë patjetër në kryeqytet, si dhe javët në vazhdim pritet t’i kalojë duke i përfunduar këngët e albumit të ardhshëm.

“Lewis e ka kaluar karantinën duke shkruar këngë për albumin e ri, në vendlindjen e tij. Tani, duhet ta përfundojë punën e nisur. Ai është vendosur në një hotel të Londrës dhe do t’i kalojë javët në vazhdim duke punuar me producentët më të mirë muzikorë. Gjatë fundjavës ai kaloi kohë duke u argëtuar pak me shoqëri, ndërsa tash e tutje do të fokusohet plotësisht në punën rreth këtij projekti. Këto janë kohëra mjaft emocionuese për të, dhe mezi po pret të shkoj në studio për t’i incizuar këngët”, citohet të ketë thënë një burim i këngëtarit.

Në të kaluarën, Lewis Capaldi ka bërë shaka rreth albumit të ardhshëm, që vjen pas atij debutues të vitit 2019, “Divinely Uninspired to a Hellish Extent”, duke thënë se njerëzit kanë vuajtur mjaftueshëm gjatë këtij viti, për t’i mërzitur edhe më shumë me albumin e tij të ri.