Showbiz

Ellen DeGeneres premton t’i adresohet skandalit me të cilin u ballafaqua shou i saj

Ellen DeGeneres ka lënë të nënkuptohet se do të flasë rreth skandalit me të cilin u përball emisioni i saj, me t’u rikthyer në ekran në fund të këtij muaji me sezonin e ri të shout.

Prezantuesja 62-vjeçare do të rikthehet me sezonin e 18-të të emisionit ditor, më 21 shtator të këtij viti dhe po e shfrytëzon rastin t’iu premtojë shikuesve të saj besnik, që do t’i adresohet çështjes turpëruese me të cilën është përballur ky program së fundmi, me ç’rast disa persona kanë raportuar se kultura e punës në këtë shou është toksike.

Në një deklaratë të publikuar së fundmi, DeGeneres tha: “Mezi pres të kthehem në punë dhe ta realizojmë emisionin nga studio. Dhe po, ju premtoj se do të flasim gjerë e gjatë rreth ndodhive të fundit”.

Emisioni ishte menduar të rikthehej në ekran të mërkurën më 9 shtator, por është shtyrë për pak ditë si dhe do ta shënojë rikthimin në fund të muajit pa publik në studio, transmeton Koha.

Tiffany Haddish do t’i bashkohet Ellenit në episodin e parë, derisa në gjatë ditëve të javës të ftuar do të jenë yje të tillë si: Alec Baldwin, Chrissy Teigen, Kerry Washington, Amy Schumer, Chris Rock, Adam Sandler dhe Orlando Bloom.

Prej se shou më i shikuar në Amerikë, “The Ellen DeGeneres Show”, u hetua nga “Warner Media” pas spekulimeve për një ambient toksik të punës, tre producentët kryesor të emisionit, Ed Glavin, Kevin Leman dhe Jonathan Norman, janë pushuar nga puna.

Ellen besohet si tashmë i është drejtuar më shumë se 200 punëtorëve të saj përmes një videolidhje, me ç’rast u ka thënë se ajo nuk është e përkryer dhe se me qëllimin që emisioni të realizohej me sukses, producentët e saj është dashur të tregohen pak më të ashpër. Ajo më pas u ka kërkuar falje për eksperiencat e hidhura në vendin e punës, si pasojë e keqmenaxhimit të njerëzve të saj të besuar.

Në akuzat e ngritura nga punëtorët e emisionit, 62-vjeçarja Ellen nuk akuzohej për keqbërje, por ata thonë se ishin këshilluar që të mos i drejtohen asaj nëse e shihnin duke ecur nëpër ndërtesën ku xhirohet shou.

Një grua afrikano-amerikane kishte deklaruar se është trajtuar ashpër, i është injoruar kërkesa për rritje të pagës dhe është akuzuar se po duket shumë arrogante dhe e zemëruar, pasi ajo kishte kërkuar që të gjithë pjesëtarët e stafit t’i nënshtrohen trajnimeve për diversitet dhe gjithëpërfshirje në vendin e punës.

Një tjetër punëtore kishte deklaruar se është pushuar nga puna, ngase kishte marrë pushim mjekësor për një muaj pas tentimit të vetëvrasjes.

Po ashtu disa punëtorë të tjerë kishin deklaruar se kanë qenë të ngacmuar seksualisht nga producentët ekzekutiv të emisionit. Që të tre producentët i kanë mohuar të gjitha akuzat kundër tyre.