Showbiz

Barbra Streisand i ka dhuruar vajzës së George Floydit aksione në kompaninë “Disney”

Aktorja e famshme hollywoodiane, Barbra Streisand, të cilën rrallë herë e shohim në publik dhe mundohet të qëndrojë sa më larg vëmendjes së mediave, ka vendosur që vajzës së viktimës së brutalitetit policor në Amerikë, George Floyd, t’i dhurojë aksione në kompaninë “Disney”.

Kështu, ajo po kujdeset që Gianna Floyd të ketë një të ardhme të sigurt, transmeton Koha.

Lajmi u bë i ditur nga Gianna e vogël e cila e postoi një fotografi në Instagramin e saj me mbishkrimin: “Faleminderit Barbara Streisand për dhuratën. Tani falë jush, unë jam aksionare në ‘Disney’,” ka shkruara ajo.

Zëdhënësit e aktores dhe këngëtares së shumë shpërblyer e kanë konfirmuar lajmin të hënën, duke treguar se dhurata që Streisand ia ka bërë Giannas përmbante aksione në kompaninë e njohur, dhe video të dy emisioneve televizive, “My Name is Barbra” dhe Color Me Barbra”, të realizuara në vitin 1965 dhe 1966.

78-vjeçarja Streisand, e fitoi shpërblimin “Oscar” si “Aktorja më e mirë” për filmin “Funny Girl”. Nga viti 1964 deri më 1966, për tri vjet rresht ajo u nderua me çmim “Grammy” në kategorinë “Performanca më e mirë nga një artiste femër” si dhe në vitin 1995 e fitoi një shpërblim special për arritje jetësore.

Sipas një raporti 20 faqesh të publikuar më 3 qershor nga Zyra e Mjekësisë Ligjore në Qarkun Hennepin, shkaktari zyrtarë i vdekjes së George Floydit ishte arresti kardiopulmonar. Pra, Floyd e humbi jetën pasi një polic i vuri gjurin në fyt për nëntë minuta, gjatë kohës sa po e arrestonte atë në Minnesota, ngjarje kjo e cila ka nxitur protesta kundër racizmit anembanë botës.

Katër policët e përfshirë në këtë ngjarje janë pushuar nga puna, si dhe janë paditur për krim dhe vrasje.