Showbiz

Filmat pretendent për “Oscar” duhet t’i përmbushin kriteret e shumëllojshmërisë

Foto: Reuters

Organizatorët e ceremonisë së famshme shpërblyese “Oscar”, kanë bërë të ditur se do ta formojnë një grup i cili do ta përpilojë një listë të rregullave të shumëllojshmërisë, të cilat filmbërësit pretendent për t’u shpërblyer me çmim akademik, duhet t’i ndjekin.

Sipas Akademisë së Arteve dhe Shkencës, qëllimi i këtij grupi është të krijoj mundësi të shumëllojshmërisë dhe udhëzime të gjithëpërfshirjes të cilat kineastët duhet ndjekur, nëse duan që puna e tyre të ketë të drejtë konkurrimi për “Oscar”, transmeton Koha.

Akademia e cila ndër vite është kritikuar për vlerësimin e më pak filmave të krijuesve të komunitetit afrikano-amerikan, ka deklaruar që ky veprim dhe disa ndryshime tjera që pritet të ndodhin se shpejti, e përfaqësojnë një fazë të re 5-vjeçare e cila ka për qëllim ta promovojë shumëllojshmërinë në industrinë e filmit.

Rregullat e reja të konkurrimit nuk vlejnë për projektet filmike të cilat pritet të nominohen për ceremoninë e ardhshme “Oscar”, që do të mbahet në vitin 2021.

Kritikat ndaj organizatorëve të shpërblimeve kryesore kinematografike u ashpërsuan dukshëm në vitin 2015, kur edhe u krijua hashtagu #OscarsSoWhite, i krijuar në formë të protestës për përfshirjen vetëm të filmbërësve, aktorëve dhe producentëve të bardhë, në kategoritë shpërblyese të kësaj ceremonie.

Në mesin e masave të reja të imponuara së fundmi nga Akademia, është edhe garantimi i përfshirjes së 10 projekteve filmike në garë për çmimin “Filmi më i mirë”, duke iu mundësuar kështu më shumë filmave që të nderohen me shpërblimin më prestigjioz të industrisë.

Hollywoodi është në qendër të kritikave për mungesë të shumëllojshmërisë dhe portretizim të racizmit në ekran të madh, që nga fillimi i protestave anembanë botës të shkaktuara nga vrasja e George Floydit.