Showbiz

Alicia Keys e tregon rregullin e saj për një martesë të suksesshme

Foto: Reuters

Këngëtarja 39 vjeçare, Alicia Keys, e cila me bashkëshortin e saj Swizz Beatz i ka dy djem, Egypt dhe Genesis, refuzon t’i kalojë më shumë se dy javë pa u parë me artistin 41-vjeçar të hip hop-it, pavarësisht angazhimeve të shumta në karrierën e tyre që shpesh i dërgon anembanë botës, me koncerte dhe performanca.

Duke folur për emisionin “Happy Place”, ylli i njohur i muzikës, Keys, tha: “Në librin e ri, unë flas për lidhjen time me bashkëshortin. Ne e kemi një rregull të domosdoshëm i cili nuk na lejon që t’i kalojmë më shumë se dy javë larg njëri-tjetrit. Pas shumë provave dhe sfidave nëpër të cilat kemi kaluar ndër vite, e kemi kuptuar se kjo ishte kohë e gjatë për të kaluar pa u parë. Thjeshtë krijohej një energji negative të cilën nuk duam ta kemi në jetët tona.”

Dhe kur prezantuesi i emisionit e sugjeroi këngëtaren që, tani pasi çifti ka kaluar kaq shumë kohë së bashku për shkak të karantinës së shkaktuar nga pandemia, ndoshta do të mund ta shtynin kohën që qëndrojnë larg njëri-tjetrit në një muaj, Keys u përgjigj: “Në asnjë mënyrë”.

Ndër të tjera, ylli i hitit “Girl on Fire” ka treguar se durimi gjatë karantinës i është testuar nga fëmijët e saj, të cilët në mungesë të shkuarjes në shkollë kanë pësuar çrregullim në rutinën ditore, transmeton Koha.

Keys ka treguar se e kishte kuptuar që është më mirë dhe më lehtë për të gjithë, që t’i lërë fëmijët të vrapojnë të lirë nëpër shtëpi, pasi në mungesë të lojës me shoqëri ata duhet ta shpenzojnë energjinë në ndonjë mënyrë.