Showbiz

Harry dhe Meghan festojnë 2-vjetorin e martesës

Prinici i Britanisë së Madhe, Harry dhe bashkëshortja e tij amerikane, Meghan Markle, sot e festojnë përvjetorin e dytë të martesës.

Meghan, ish-aktorja amerikane e cila pas martesës me princin e Anglisë u shndërrua në Dukeshë të Sussexit, dhe Harry, që është nipi i mbretëreshës Elizabeta e Dytë dhe trashëgimtari i gjashtë në radhë për fronin mbretëror, u shndërruan në një prej çifteve më të mëdha ndër të famshëm prej ditës së dasmës së tyre e cila zuri vend në kështjellën Windsor, dhe u përcoll nga miliona njerëz anembanë botës përmes transmetimit live nëpër televizione, transmeton Koha.

Duka dhe dukesha e Sussex e mirëpritën në jetë fëmijën e tyre të parë, Archie, një vit pas martesës por nga ajo kohë, dyshja është përballur me një raport të acaruar me mediat në Britani të Madhe.

Në janar të këtij viti, 35-vjeçari Harry dhe 38-vjeçarja Meghan, e bënë të ditur lajmin se po largohen nga detyrat zyrtare si pjesëtarë të familjes mbretërore, duke deklaruar se këtë vendim e kanë marrë për shkak të presionit dhe trajtimit të keq që po ua bëjnë mediat në vend.

Ky vendim shkaktoi bujë në familjen mbretërore dhe jo vetëm.

Aktualisht ata janë zhvendosur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku po provojnë ta themelojnë një organizatë bamirëse dhe disa biznese tjera.

Pavarësisht kritikave që mediat i kanë kryesisht për Dukeshën Meghan, të cilat në të shumtën e kohës e fajësojnë atë për largimin e Princit më të dashur të Britanisë së Madhe nga familja e tij, çifti vazhdon të zgjojë interesim të madh te publiku me çdo gjë që e bënë, dhe janë vazhdimisht në fokusin e gazetarëve dhe fotografëve të cilët e përcjellin me shumë vëmendje secilën lëvizje të tyre.