Showbiz

Charlize Theron, nga karriera si valltare dhe modele në atë si aktore

Descriptive Text

Charlize Theron është një aktore e lindur në Afrikën Jugore më së miri e njohur për role në filma me buxhet të lartë si, “Monster”, për të cilin e fitoi një shpërblim “Oscar”, “Snow White and the Huntsman”, “Mad Max: Fury Road”, “The Fate of the Furious” dhe “Atomic Blonde”.

Aktorja dhe filantropja, Theron, u lind më 7 gusht të vitit 1975 në fshatin Benoni të Afrikës Jugore nga prindërit Charles dhe Gerda. Familja e saj e cila e posedonte një kompani ndërtimi nuk e kishin kursyer aktoren me punët e shtëpisë, por qysh në moshë të re, Theron kishte filluar ta ndiente pasionin e saj për vallëzim. Për t’i përvetësuar më mirë aftësitë e saj artistike, aktorja qysh në moshën gjashtëvjeçare kishte filluar të merrte mësime të vallëzimit, dhe me përkrahjen e prindërve të saj, në moshën 12-vjeçare, Theron ishte dërguar në një shkollë të vallëzimit në Johannesburg. Por, jeta familjare e aktores ishte jo e lumtur, kjo pasi babai i saj kishte varësi nga alkooli. Në vitin 1991, kur Theron ishte vetëm 15 vjeç, babai i saj i kishte sulmuar atë dhe nënën e saj Gerda, e cila kishte përfunduar duke e vrarë atë me armë zjarri në prani të së bijës. Vrasja ishte shpallur “vetëmbrojtje” dhe Gerda nuk ishte paditur për krim. Ajo e kishte fituar kompaninë e bashkëshortit, dhe së bashku me Charlizen kishin përhapur fjalë se babai i saj kishte vdekur në një aksident me veturë.

Në moshën 16-vjeçare, aktorja kishte marrë pjesë në një garë të modelimit, ku edhe kishte triumfuar, përfshirë edhe garën “International New Model Today” në Itali, çka edhe e kishte nisur karrierën e Theronit si modele. Por në moshën 18-vjeçare ajo kishte udhëtuar drejt New York-ut për ta ndjekur ëndrrën e saj për t’u bërë valltare, por për shkak të një lëndimi në gjunjë, Theron ishte detyruar ta braktiste karrierën e saj si valltare.

Nga ai moment, Charlize kishte vendosur të merrej me aktrim, duke u zhvendosur në Los Angeles. Por shumë shpejt, aktorja e kishte kuptuar që për shkak të theksit të Afrikës Jugore, e kishte të vështirë për të siguruar role në filma të shumtë, prandaj ishte përkushtuar të shikonte televizion me orë të tëra, vetëm për ta perfeksionuar theksin amerikan.

Në vitin 1994, Theron kishte rënë në sytë e një agjenti talentesh në Hollywood, teksa aktorja po zihej me një punëtor banke. Ai menjëherë i kishte propozuar Theronit të bëhej menaxheri i saj, dhe vetëm disa muaj në vonë, Theron e shënoi debutimin e saj si aktore me një rol të vogël në filmin “Children of the Corn III”. Një vit më vonë pasuan edhe dy filma të tjerë, “2 Days in the Valley” dhe “That Thing You Do!”. Derisa prezenca e aktores në Hollywood vetëm sa po shtohej, suksesin e parë në një film me buxhet më të lartë, Theron e shënoi me filmin e vitit 1997, “The Devil’s Advocate”, ku luajti krahas yjeve, Al Pacino dhe Keanu Reeves .

Në vitin 1999, aktorja i fitoi disa role të madha në filma të tillë, si: “The Astronaut's Wife”, ku luajti krahas aktorit Johnny Depp, “The Cider House Rules”, “Sweet November”, ku sërish u bashkua në ekran të madh me aktorin Keanu Reeves dhe “The Italian Job”, ku luajti krahas aktorit të njohur për filma aksion, Mark Wahlberg.

Kulmin e suksesit në karrierën e saj si aktore, Theron e arriti me rolin transformues në filmin biografik “Monster”, ku ajo e portretizoi vrasësen Aileen Wuornos. Për këtë rol, aktorja e shquar në mbarë botën për bukurinë e saj, u desh të transformohej tërësisht dhe të shndërrohej në një grua të vrazhdë dhe me pamje të frikshme. Kjo performancë e mrekullueshme ia fitoi shpërblimin e parë “Oscar”, një shpërblim “Globi i Artë”, si dhe e vulosi emrin e saj në Hollywood.

Vitet 2000 ishin të pasura për aktoren bukuroshe, me role në filma të ndryshëm, si: “The Life and Death of Peter Sellers”, “North Country”, “Arrested Development”, “Hancock”, “The Road”, “Young Adult”, “Snow White and the Huntsman”, “Prometheus”, “A Million Ways to Die in the West”, “Mad Max: Fury Road”, “Dark Places”, “Atomic Blonde”, “The Fate of the Furious”, “Long Shot”, “The Addams Family” dhe filmi i saj i fundit “Bombshell”.

Përveç si aktore, Theron njihet edhe si filantrope dhe aktiviste për çështjet shoqërore. Në vitin 2008 ajo u nderua nga Kombet e Bashkuara, duke u bërë ambasadorja e dhjetë për paqe e kësaj organizate. Theron po ashtu është këshilltare e institutit “The Global Fund”, i cili i lufton sëmundjet, si SIDA, tuberkulozi dhe malaria. Po ashtu, në vitin 2008 Theron e bëri të ditur lajmin se e ka fituar shtetësinë amerikane. Ajo vazhdon ta mbajë edhe nënshtetësinë e saj të Afrikës Jugore.

Sa i takon jetës personale, aktorja gjithmonë ka preferuar të qëndrojë larg vëmendjes së publikut. Ajo ka qenë në lidhje të gjatë me aktorin, Stuart Townsend, por pas 10 vjetësh, çifti kishte vendosur të ndahej në vitin 2010. Tre vjet më vonë ajo e filloi një lidhje romantike me aktorin Sean Penn, por përfunduan duke u ndarë vetë, dy vjet më vonë. Në vitin 2012 aktorja Theron e adoptoi një djalë të quajtur Jackson dhe pas tre vjetësh e adoptoi edhe një vajzë. Ndërkaq në vitin 2019, ajo e bëri të ditur lajmin se djali i saj Jackson është transgjinor, dhe identifikohet si vajzë.