Showbiz

Një finale “Eurovisioni”, përkundër koronavirusit

Tinguj të muzikës festive evropiane, e në ekran imazhe që përkujtojnë festivalin e këngës “Evrovizion” të vitit 2019, mbajtur në Tel Aviv. Publik, kremtime, flamuj e festa. Dhe pastaj këndohet kënga fituese “Arcade”, ama jo prej fituesit të festivalit të vitit të shkuar, holandezit Dankan Lorens, por nga shumë artistë të tjerë të rinj, të cilët shfaqen në ekrane të ndara, siç është bërë zakon gjatë muajve të fundit.

Ky është momenti kur rrëqethet lëkura – një regji më e mirë zor se do të mund të bëhej edhe në transmetim të drejtpërdrejtë. Dhe përnjëherë shfaqet drejtuesi i festivalit dhe e përshëndet publikun. “Mirëmbrëma Evropë dhe mirëmëngjesi Australi”. Pa shkëlqim e glamur, në një bluzë të zezë, moderatori shpjegon se çfarë do të shikojmë: përzgjedhjen e këngës më të mirë të “Eurovisionit” 2020.

Dashuri për detaje

Ky është një edicioni i posaçëm i festivalit të këngës evropiane, të cilin e kanë përpiluar adhuruesit prej dhomave të shtëpive të tyre. Iniciatore është revista e madhe online nga Polonia, e cila e përcjell prej vitesh “Eurovisionin”, “Dziennik Eurowizyjny”. E tërë kjo mund të shihet vetëm në “YouTube”. Tanimë janë shfaqur videot e 41 këngëve, të cilat do të merrnin pjesë në organizimin në Roterdam.

Dashamirët e kësaj gare patën mundësinë e votimit në internet për të përcaktuar se kush do të shkonte në finale. Në finale nuk mungoi as votimi plot emocione, në program u përfshinë edhe miqtë, edhe familjarët e fëmijët e votuesve, të cilët lexuan kush sa vota i fitoi. Procesi kompakt i votimit deri në detaje ishte si në garat e vërteta. “Edhe më emocionuese sesa në organizimin madhështor të përvitshëm të festivalit të vërtetë”, ka shkruar një ndjekës në koment. Fituese ka dalë Zvicra, e cila ka pasur pak më shumë vota se sa Lituania. Ndërsa Gjermania arriti të renditej në vendin e tetë.

Festa e “Eurovisionit”

Edhe nikoqiri nga Holanda, i cili nuk morri pjesë në këtë garë, ka qenë aktiv. Në kanalin zyrtar të festivalit të “Eurovisionit” në “Youtube”, që nga e marta mund të shihet “Eurovision Song Celebration”, ku në dy gjysmëfinale paraqiten 41 pjesëmarrës. Por, pa garë. Qëllimi është që t’u kushtohet respekt të 41 këngëve, ngase vitin e ardhshëm nuk do të mund të dëgjohen.

Ndërsa, më pas, me anë të video-xhirimeve, përfshihen adhuruesit nga e tërë bota: nisur prej Turqisë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Indonezisë e deri te Kolumbia. Ata i këndojnë këngët e tyre të parapëlqyera, të cilat ishin në konkurrencën e sivjetshme.