Showbiz

“The Prodigy” duan ta përfundojnë albumin e ri për nderë të anëtarit të ndjerë të grupit Keith Flint

Bendi i njohur i muzikës elektronike, “The Prodigy”, kanë bërë të ditur se dëshirojnë ta përfundojnë albumin e tyre të ri, për nderë të anëtarit të ndjerë të grupit, Keith Flint.

Ish-anëtari i grupit, Leeroy Thornhill, së fundmi ka folur rreth planeve të tij dhe dy anëtarëve të tjerë, Liam Howlett dhe Maxim, kjo pasi treshja ishte ribashkuar në mars të këtij viti, për ta kujtuar mikun e tyre të ndjerë, një vit pas vdekjes së tij tragjike në moshën 49-vjeçare.

Për emisionin “The Morning After, Thornhill ka thënë: “Unë jam vazhdimisht në kontakt me anëtarët e grupit. Ne u bënë bashkë në përvjetorin e parë të vdekjes së Keith Flintit, me qëllim për ta festuar jetën e tij. E di që Liam dëshiron ta përfundojë albumin që bendi ‘The Prodigy’ ishte duke e realizuar, por nuk e di se deri ku kanë arritur me këtë projekt.”

Albumi i ardhshëm që i përmban gjithsej tetë këngë të reja, vjen pas atij të vitit 2018 “No Tourists”, që ishte incizimi i katërt dhe i fundit që e përfshiu vokalin e Keith Flintit, i cili gjithashtu i ka bashkë shkruar këngët e tij, transmeton Koha.

Leeroy Thornhill, i cili ishte pjesë e grupit nga viti 1990 deri më 2000, e pranoi se pavarësisht që ndjehet i pikëlluar nga vdekja e mikut te tij, megjithatë ai e kujton shpesh Flintin me buzëqeshje në fytyrë.

Keith Flint ishte gjetur i vdekur në shtëpinë e tij në Essex të Anglisë. Edhe pse policia lokale fillimisht kishte deklaruar që vdekja nuk ishte shkaktuar nga dhuna, në faqen zyrtare të bendit “The Prodigy” ishte bërë e ditur se këngëtari ka bërë vetëvrasje.

Flint e fitoi popullaritetin në vitet nëntëdhjetë, me vallëzimin e tij energjik dhe pamjen ekscentrike. Ndërkaq, gjatë karrierës së tyre anëtarët e bendit “The Prodigy” kanë arritur të krijojnë hite të shumtë si, “Firestarter”, “Breathe” dhe “Smack My Bitch Up”.