Showbiz

Lopez e Rodriguez shtyjnë datën, por nuk heqin dorë nga “martesa e ëndrrave”

Për shkak të pandemisë së Covid-19, Jennifer Lopez dhe Alex Rodriguez e kanë shtyrë martesën e tyre, e cila duhej të mbahej në Itali këtë verë, shkruan revista Female First.

Çifti ka planifikuar të lidhë kurorë në Itali, mirëpo për shkak pandemisë, ka vendosur ta shtyjë për kohë më të mira.

Një burim tha për E!News: “Janë munduar me javë për të marrë këtë vendim, por pasi që nuk do t’i kthehemi normalitetit në të ardhmen e afërt, çifti erdhi në përfundim se shtyrja e martesës ishte gjëja më e sigurt për t’u bërë. Mysafirët janë lajmëruar që martesa nuk do të ndodhë në verë ashtu siç është pritur”.

Jennifer 50 vjeçe dhe Alex 44, edhe pse kanë shtyrë datën e martesës, ata ende planifikojnë të “kenë martesë të ëndrrave”, por në kohën e duhur.

Çifti, që bashkë është nga viti 2017, u fejua gjatë një udhëtimi në Bahama, në mars të vitit të kaluar.

Nuk është vetëm martesa në plan për çiftin, pasi që Jennifer kohë më parë kishte thënë se do të donte shumë të ketë një fëmijë më ish-lojtarin e bejsbollit.

“Nuk e di çka është plani i Zotit, por do të doja të provoja!”, kishte thënë ajo.