Showbiz

Shkaku i mbylljes së kinemave, “Oscar” ndryshon rregullat e pranimit të nominimeve

Trupi që qëndron prapa çmimeve “Oscar” ka ndryshuar rregullat, duke e bërë të mundshëm pranimin në listën e kandidatëve për vitin e ardhshëm të filmave që kanë pasur debutimin në platformat e transmetimit online apo të shërbimeve të tjera transmetuese.

Rregullat aktuale të akademisë së “Motion Picture Arts and Sciences” thonë se filmat pranohen vetëm në rast se transmetohen në ndonjë kinema të Los Angelesit, për të paktën një javë.

Por shkaku i mbylljes së kinemave si pasojë e krizës së shkaktuar nga koronavirusi, organizuesit kanë bërë të ditur se një përjashtim “i përkohshëm” është i nevojshëm.

Premierat e shumë filmave janë shtyrë, ndërsa disa të tjera janë realizuar në platforma digjitale.

“Akademia beson fuqimisht se nuk ekziston mënyrë më e mirë për ta përjetuar magjinë e filmave sesa përmes të shikuarit të tyre nëpër kinema”, kanë thënë kryetari i Akademisë, David Rubin, dhe drejtoresha ekzekutive, Dawn Hudson. “Sidoqoftë, tragjedia historike e pandemisë së COVID-19 e bën të domosdoshëm këtë përjashtim të përkohshëm për sa u përket rregullave tona të pranimit të kandidaturave”, kanë thënë ata.

Akademia ka njoftuar megjithatë se përjashtimi do të marrë fund kur kinematë të rihapen.

Gjatë viteve të fundit, “Oscar” ka pranuar filma të prodhuar nga shërbimet transmetuese, si Netflix dhe Amazon – por vetëm në rast se janë edhe në kinema.


Ndryshimi i rregullit u bë në kohën e përshkallëzimit të përplasjeve lidhur me mënyrën e lansimit të filmave.

Studioja filmike “Universal Pictures” ka lansuar së fundmi online filmin e animuar “Trolls World Tour”, ndërsa e ka përshpejtuar datën e lansimit të edhe disa titujve të tjerë, me kërkesën e shikuesve. Që atëherë, studioja ka sugjeruar se kjo politikë do të vazhdojë edhe pasi që kinematë të rihapen, duke nxitur një zinxhir të gjerë kinemash të pretendojnë se do t’i ndalojnë filmat e saj në ekrane të mëdha.

Një bojkot i tillë do të kishte ndikim të madh për filmat e ardhshëm të “Universal”, si “Fast & Furious 9” dhe filmi me agjentin James Bond - “No Time to Die”. Këta filma janë në mesin e atyre që kanë pezulluar premierat e paracaktuara, si pasojë e pandemisë, shkruan Koha Ditore.

Para përplasjeve të fundit, studioja priste 90 ditë pas publikimit nëpër kinema për t’i transmetuar filmat në version digjital.

“Universal” ka qenë padyshim prijëse në ndryshimin e këtij modeli, duke e përshpejtuar së fundi publikimin në VOD (Video On Demand) të filmave si “Emma”, “The Hunt” dhe “The Invisible Man”.

Filmat më të rinj në Mbretërinë e Bashkuar, si “Military Wives” dhe “Misbehaviour”, janë lansuar po ashtu në formë digjitale, shumë përpara se ishte paraparë të publikoheshin.

Ndërkohë, përveç ndryshimit të rregullave për t’iu përshtatur trendëve të transmetimit online, “Academy” ka njoftuar se ka vendosur po ashtu që t’i shkrijë dy prej çmimeve të saja për zërin në një kategori të vetme.

Nga viti 2021, do të jetë vetëm një çmim për zërimin më të mirë, në vend të dy çmimeve të ndara për miksim dhe montazh.

Ceremonia e 93-të e “Academy Awards” do të mbahet në Los Angeles, më 28 shkurt 2021.

Si rrjedhojë e ndryshimeve, “Oscar” 2021 mund të ketë një baraspeshë të ndryshuar, me më pak filma të studiove dhe më shumë të pavarura, ku shërbimet transmetuese bëjnë avancime të dukshme.