Showbiz

Rita Ora dhe Dua Lipa bëhen bashkë për një projekt muzikor bamirës

Descriptive Text

Yjet, Dua Lipa, Chris Martin dhe Rita Ora, janë në mesin e këngëtarëve të cilët do ta incizojnë një version të ri të hitit “Times Like These” nga bendi “Foo Fighters”, për bamirësi.

Ylli i hitit “Physical”, Dua Lipa, vokalisti i bendit “Coldplay”, Chris Martin dhe këngëtarja e hitit “Lonely Together”, Rita Ora, në realizimin e këtij projekti do të bëhen bashkë me yje të shumtë të skenës muzikore të tillë si: Yungblud, “5 Seconds of Summer”, AJ Tracey, Anne-Marie, “Bastille”, Biffy Clyro, Celeste, Dermot Kennedy, Ellie Goulding, Grace Carter, Hailee Steinfeld, Jess Glynne, Mabel, Paloma Faith, Rag'n'Bone Man, “Royal Blood”, Sam Fender, Sean Paul dhe Sigrid.

Rincizimi i këngës është iniciativë e kompanisë “BBC” dhe ka për qëllim të mbledhë të holla për fondacionet e bamirësisë, “Children in Need” dhe “Comic Relief”, si dhe gjithë personat e prekur nga COVID-19.

Version i ri i këngës do të incizohet si pjesë e segmentit “Stay Home Live Lounge” të “BBC Radio 1”, dhe përveç se do të lansohet si këngë, videoklipi i ‘coverit’ do ta shënojë premierën në ngjarjen bamirëse të organizuar nga “BBC One”, me titull “The Big Night In”.

Ky transmetim zë vend të enjten më 23 prill, dhe ka për qëllim ta disponojë publikun në këtë kohë pandemie, si dhe të mbledhë fonde për dy fondacionet në fjalë.

Duke folur për pjesëmarrjen e saj në këtë projekt, Lipa ka thënë: “Jam shumë krenare që kemi arritur të bëhemi bashkë për ta incizuar këtë këngë, dhe mesi pres që të gjithë ta dëgjojnë atë. Po mendoj për të gjithë ju anembanë botës në këto kohëra të vështira. Ju dua shumë.”

Versioni i ri i këngës “Times Like These” po mbikëqyret nga producenti i yllit Adele, Fraser T. Smith, i cili ka thënë: “Kemi provuar ta bëjmë këtë version tërësisht ndryshe nga ana artistike, duke e përshtatur me situatën nëpër të cilën po kalojmë. Teksti i këngës në veçanti lidhet me eksperiencat tona në këtë kohë sfiduese, dhe sinqerisht shpresoj që të hollat e mbledhura nga ky projekt do të ndihmojnë në betejën kundër koronavirusit anembanë botës.”

Ngjarja “The Big Night In” vjen menjëherë pas koncertit virtual të Lady Gagas “One World: Together At Home”, i cili për tetë orë transmetim arriti t’i mbledhë më shumë se 127 milionë dollarë për fondacionin “COVID-19 Solidarity Response Fund”, dhe për punëtorët lokal dhe regjional të cilët shërbejnë në vijën e parë të frontit.

Në këtë ngjarje e cila u përcoll nga një numër i madh i publikut, u përfshinë performancat dhe fjalimet e disa prej emrave më të njohur të showbizit si: Paul McCartney, Celine Dion, Sir Elton John, Beyonce, Jennifer Hudson, John Legend, Billie Eilish, Matthew McConaughey, Sarah Jessica Parker, Rita Ora, Lizzo, Idris Elba, Jessie J dhe të tjerë.