Showbiz

Lady Gaga do ta udhëheqë një koncert virtual që i nderon punëtorët shëndetësorë

Foto: Reuters

Ylli i hitit “Born this Way”, Lady Gaga, është bërë bashkë me organizatat “Global Citizen” dhe “World Health Organisation”, për organizimin e një ngjarjeje historike dhe unike në llojin e vet.

Fjala është për koncertin madhështor me titull “One World: Together at Home”, i cili do të tranmetohet nëpër kanale dhe platform të ndryshme digjitale anembanë botës, si dhe i përfshinë performancat e yjeve të mëdhenj të muzikës të tillë si: Sir Elton John, Chris Martin, Sir Paul McCartney, John Legend, Lizzo dhe Billie Eilish, transmeton Koha.

Koncerti virtual i cili transmetohet më 18 prill, ka për qëllim të mbledhë të holla për fondacionin, “Solidarity Response Fund”, si dhe organizata tjera lokale apo regjionale të cilat po i ndihmojnë personat në nevojë gjatë kësaj pandemie globale të koronavirusit. Gjithashtu, qëllimi kryesorë i kësaj ngjarjeje është nderimi dhe përkrahja e punëtorëve shëndetësorë të cilët po i rrezikojnë jetët e tyre për t’i shpëtuar të tjerët.

“Kemi dashur të fokusohemi në rëndësinë e kësaj lëvizjeje të paparashikuar historike dhe kulturore… dhe duam ta festojmë dhe inkurajojmë fuqinë e shpirtit njerëzor. Dua t’iu dërgoj lutjet e mia të gjithë njerëzve të cilat po i humbin punët, dhe mezi po ia dalin ta ushqejnë veten dhe fëmijët e tyre gjatë kësaj pandemie,” citohet të ketë thënë superylli Gaga.

Ylli i filmit “Star is Born” gjithashtu ka treguar se të gjitha të hollat që do të dhurohen për bamirësi, do të mblidhen para koncertit. Sipas saj, kur të fillojë transmetimi direkt i koncertit njerëzit e kanë për detyrë t’i largojnë kuletat dhe kartat e kreditit nga vetja, dhe ta shijojnë këtë shou.

Prezantuesit e njohur televiziv, Jimmy Fallon, Jimmy Kimmel dhe Stephen Colbert, do ta prezantojnë koncertin krahas ekipit të emisionit “Sesame Street”.

Në mesin e artistëve të përzgjedhur nga Lady Gaga për të interpretuar në këtë ngjarje janë: Eddie Vedder, Idris Elba, Alanis Morissette, Kacey Musgraves, David Beckham, Billie Joe Armstrong dhe Keith Urban, derisa paraqitje në këtë shou do të kenë edhe punëtorë të ndryshëm shëndetësorë prej anembanë botës.