Showbiz

Vjollca Robelli, rikthehet pas më shumë se një dekade

Ditë më parë përmes rrjetit social Facebook, këngëtarja, Vjollca Robelli Mripa, paralajmëroi rikthimin në skenën muzikore shqiptare pas më shumë se një dekade pauzë.

E gjithë kjo periudhë kohore i ka ndihmuar asaj që ky rikthim të mos jetë vetëm një këngë me videoklip, por një projekt i cili në mënyrën më të mirë synon t’i prezantojë shqiptarët në botë, shkruan Express i KTV-së.

Në materialin e përgatitur ajo tregon edhe për koncertin të cilin do ta mbajë të martën mbrëma në Prishtinë.

Kanë kaluar hiç më pak se 15 vjet që nga publikimi i këngës “Ajo” dhe 12 që kur ajo iu largua skenës muzikore.

Krahas punës që është bërë, përkrahja e madhe e njerëzve Vjollcës i ka dhënë vullnetin më të madh.

Rikthimi i këngëtares nuk do të jetë i dosidoshëm. Ajo këtë herë do të vijë me një projekt më madhor dhe shumë domethënës, përmes së cilit dëshiron që muzikën shqiptare ta prezantojë në botë.

Paraqitja e parë para publikut, pas rikthimit, do të bëhet përmes koncertit që do të mbahet në kuadër të festivalit “FemArt”.

Në koncertin i cili do të zgjasë rreth 40 minuta, do të interpretohen për herë të parë edhe dy këngët e reja, “Burrnesha” dhe “Zare” të cilat mund të konsiderohen më shumë se dy këngë.

Nga një rok këngëtare, Vjollca na rikthehet më një zhanër tjetër muzikor dhe kjo sigurisht ka arsyet e veta. Ajo rreth kësaj ka punuar me muzikantë britanikë.

Koncerti live i Vjollca Robellit do të mbahet të martën nga ora 20:00 në teatrin Oda në Prishtinë.