Showbiz

Yjet që shkëlqyen për bamirësi

Në qilimin e kuq të shtruar në Kanë, me rastin e gala mbrëmjes së përvitshme bamirëse amFAR, ndër yjet që parakaluan në këtë ngjarje ishte edhe bukuroshja me prejardhje shqiptare, Rita Ora.

Yjet e Hollywoodit të tillë si: Will Smith, Nicole Kidman dhe Uma Thurman, e ndoqën gala mbrëmjen e përvitshme bamirëse, amFAR, e cila ka për qëllim të grumbullojë sa më shumë të holla, të cilat pastaj dhurohen për hulumtimet në luftën kundër sëmundjes vdekjeprurëse SIDA, shkruan Express i KTV-së.

Të famshmit e tillë si: Eva Longoria, David Beckham, Paris Hilton dhe Lindsay Lohan, poashtu qenë të pranishëm në këtë ngjarje glamuroze. Lohan, e cila në të kaluarën bënte lajm për stilin e shfrenuar jetësor dhe betejën e saj të vazhdueshme me drogat dhe alkoolin, tashti është shndërruar në një femër shembullore, duke arritur në ndejë ndër mysafirët e parë.

AmFAR, organizata ndërkombëtare joprofitabile që ndryshe njihet si Fondacioni Amerikan i Hulumtimeve për SIDA-n, ka për qëllim t’i mbështesë projektet që hulumtojnë në gjetjen e kurës së kësaj sëmundjeje vdekjeprurëse, parandalimin e saj, trajtimin e personave të prekur nga HIV-i, edukimin e njerëzve, sidomos të rinjve etj.

Ankandi i famshëm u mbajt gjatë dy javëve të gjata por shumë argëtuese të edicionit të 70-të të festivalit ndërkombëtar të filmit në Kanë.