Showbiz

Quentin Tarantino për herë të parë baba

Regjisori i njohur Hollywoodian dhe bashkëshortja e tij, Daniella Pick Tarantino, e kanë mirëpritur në jetë fëmijën e parë së bashku.

Këngëtarja 36-vjeçare e cila u martua me regjisorin e famshëm në vitin 2018, e ka sjellë në jetë foshnjën në Tel-Aviv të Izraelit, të shtunën më 22 shkurt, transmeton Koha.net.

Një zëdhënësi i çiftit e ka konfirmuar lajmin për TMZ: “Daniella dhe Quentin Tarantino, janë të lumtur ta bëjnë publik lajmin se janë bërë prindër për herë të parë. Foshnja i gjinisë djalë u lind më 22.02.2020,” shkruhej në deklaratën për media.

Çifti i famshëm nuk kanë ndarë shumë detaje rreth shtatzënisë së tyre, por siç duket Daniella e kishte marrë vendimin për ta lindur foshnjën në vendlindjen e saj. Tarantino dhe bashkëshortja e tij, të cilët ende nuk e kanë bërë të ditur emrin e foshnjës, aktualisht jetojnë në Beverly Hills.

Sidoqoftë, në muajt e fundit të shtatzënisë së Daniellas, çifti e kishte marrë me qira një apartament në Tel-Aviv.

Quentin dhe Daniella ishin takuar për herë të parë në Izrael në vitin 2009, kur regjisori 56-vjeçar po e promovonte filmin e tij të suksesshëm, “Inglourious Basterds”. Dyshja u fejuan në qershor të vitit 2017, ndërsa u martuan në një ceremoni private në shtëpinë e regjisorit në Los Angeles, në nëntor të vitit 2018.

Quentin Tarantino i njohur për filma të tillë si, “Django Unchained” dhe “Pulp Fiction”, në të kaluarën e kishte përshkruar Daniellan si “gruan e përkryer”.