Showbiz

Alketa Vejsiu shkëlqen në festivalin italian të Sanremos, përshëndet edhe shqip

Prezantuesja simpatike shqiptare, e mirënjohura Alketa Vejsiu është ngjitur mbrëmë në skenën e madhe të festivalit të muzikës italiane, “Sanremo”.

Alketa Vejsiu shënon kështu një moment historik, pasi është e para shqiptare që u bë pjesë e prezantimit të këtij kompeticioni mjaft të rëndësishëm italian.

Prezantuesja shqiptare ka hyrë në skenë me një veshje elegante. Por veç veshjes ajo që ra në sy ishte komunikimi i lirshëm në italisht dhe aftësitë si prezantuese, gjë që u vlerësua me duartrokitje nga publiku italian, të cilët nuk ndalonin së duartrokituri.

Prezantuesja e njohur nuk e fshehu emocionin teksa zbriste shkallët e teatrit të famshëm “Ariston”. Ajo tha se pjesëmarrja në këtë festival ishte një triumf për karrierën e saj profesionale, ndërsa zgjodhi një moment të veçantë gjatë prezantimit për të përshëndetur në shqip të gjithë bashkëkombasit e saj.

Alketa Vejsiu kapërceu kufijtë dhe u bë epiqendra e natës së tretë të Festivalit italian Sanremo. Alketës iu besua një monolog, tema e së cilës ishte emigrimi. “Vij nga një vend i vogël si Shqipëria dhe doja të ndaja me ju një histori”, u shpreh në fillim prezantuesja e mirënjohur që dhuroi spektakël më vete në Sanremo.

{gallery}

”Njëherë e një kohë, ishte një vend ku dëgjimi i [Claudio] Baglionit dhe [Adriano] Celentanos ishte i ndaluar, bëheshe armik i popullit, mund të të kushtonte lirinë. Mund të përfundoje në burg. Njëherë e një kohë ishte një vend ku dyshonin nëse ishe bjonde, sepse bjonde ishte Raffaella Carrà. Njëherë e një kohë, ishte një vend ku italishtja mësohej nga transmetimet e RAI-t, ku Sanremo ishte gjithmonë Sanremo, edhe kur ishim të detyruar ta dëgjonim fshehtas, pasi mbyllnim mirë dyert dhe dritaret”.

Ajo falënderoi Italinë, që mbajti gjallë ëndrrat e shqiptarëve. ”Faleminderit Italisë që mbajti gjallë ëndrrat tona në atë epokë të errët. Sepse nuk na braktiset kurrë. Nuk na braktisët kur morëm anijet për të mbërritur në bregun përtej detit për një mundësi më të mirë për të jetuar. Faleminderit Itali, sepse na keni dhënë shumë, na keni ndriçuar rrugën me kulturën, artin, bukurinë dhe muzikën tuaj”.

Mes fjalëve që emocionuan publikun në sallë dhe bënë krenarë miliona shqiptarë që po shihnin festivalin, Alketa foli edhe për tragjedinë e kanalit të Otrantos, në të cilën “u mbyt shpresa për të gjetur ‘Tokën e Premtuar’ në bregdetin përballë”. Teksa këndonte “Una lacrima sul viso”, në skenë u shfaq artisti italian 74-vjeçar, Bobby Solo.

Aftësia e Alketës për të folur shpejt dhe prezantuar saktë në italisht është veçuar dhe nga faqja zyrtare e Sanremos. Ndërsa komentet në rrjetet sociale të miliona italianëve që ndjekin spektaklin më të madh të këngës janë të jashtëzakonshm, Alketa vlerësohet për veshje, elegancën dhe komunikimin brilant.