Showbiz

Justin Bieber sjell fragmentin e parë për serinë dokumentare “Seasons”

Justin Bieber do të flasë për vendimin e tij për ta anuluar një varg koncertesh të turneut të vitit 2017 për t'u përqendruar në mirëqenien e tij personale në një seri të re dokumentarësh në YouTube Originals.

Fragmenti i parë për “Seasons”, i cili do të debutojë më 27 janar, u publikua më 31 dhjetor, ndërsa në një njoftim për media, producentët zbulojnë se seria javore 10-episodëshe, gjithashtu do ta kronikojë bërjen e albumit të parë të Bieber në katër vjet "përmes këndvështrimeve të ithtarëve, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij më të afërt dhe vetë Bieberit”.

Projekti gjithashtu do t’i shfaqë pamjet e papara nga ceremonia e tij martesore me gruan e tij, Hailey.

Në teaserin e ri Bieber i kujton momentet se si ai e kapërceu një periudhë të vështirë në jetën e tij dhe u rikthye përsëri, shkruan KOHA Ditore. Në fragment paraqitet singli i ardhshëm i këngëtarit, Yummy, i cili do të publikohet të premten më 3 janar 2020.

Në një deklaratë Bieber thotë: "Kur po filloja, YouTube më dha një platformë dhe një komunitet ku mund ta ndaja muzikë, përvojat dhe momentet me fansat e mi. Është një ndjenjë e mirë të jesh partner me YouTube për këtë seri origjinale dokumentare. Unë dua që fansat e mi të jenë pjesë e këtij udhëtimi".