Showbiz

Rita Ora në lidhje me djalin e Jude Law, Rafferty

Këngëtarja shqiptare Rita Ora (29) dhe aktori gjashtë vjet më i ri Rafferty Law janë çifti i ri, sipas The Sun. Ata u dashuruan në setin e filmit ”Oliver Twist”, ndërsa në afterpartyn e British Fashion Awards ata u panë duke u mbajtur për dore. Ata janë në lidhje tash disa javë, por nuk duan ta bëjnë atë publike.

“Diçka po zihet mes tyre qysh kur filluan të punojnë së bashku. Njerëzit menjëherë filluan ta komentojnë ‘kiminë’ e tyre dhe thashethemet filluan që atëherë. Megjithatë, vetëm pas një kohe kjo tërheqje e ndërsjellë kaloi në diçka më shumë. Tani është një lidhje e vërtetë, kështu që ata ishin të gatshëm për daljen e tyre të parë si çift. Ata nuk mund të përmbaheshin nga mbajtja e duarve kur u larguan. Akoma janë në fazën e hershme, por për momentin janë shumë të dashuruar”, - tha një burim i afërt me çiftin.

Përndryshe, xhirimi i “Twist” filloi një muaj më parë, ndërsa rolin kryesor e luan pikërisht Rafferty, shkruan KOHA Ditore. Bëhet fjalë për rolin e tij të parë të madh, ndërsa para kësaj ai ishte model dhe mbante revy për brendet e famshme të modës.

Në një rast, Rita tha se qëllimi i saj ishte ta gjente një mashkull i cili do të ishte në gjendje t’i përballonte presionet dhe thashethemet që lidheshin me të.

“Është e vështirë ta gjesh një mashkull i cili nuk do të më keqkuptojë, por ai ekziston. I kam takuar disa prej tyre”, - kishte deklaruar Rita atëherë.

Gjatë viteve të fundit, Rita ka qenë në lidhje me disa nga yjet më të mëdha në botë, duke përfshirë muzikantin Calvin Harris (35) dhe aktorin Andrew Garfield (36).