Showbiz

“Ford v Ferrari” garon për vendin e parë, “Charlie's Angels” dështon në arkat kinematografike

Descriptive Text

"Ford v Ferrari" i ka “lënë në pluhur” konkurrentët e vet në arkat kinematografike, derisa drama historike sportive e Disney i ka inkasuar 31 milionë dollarë në Amerikën e Veriut.

Me regji të James Mangold dhe me aktorët Christian Bale dhe Matt Damon, "Ford v Ferrari" debutoi shumë më mirë seç ishin pritjet, falë përhapjes së fuqishme të informatave mes adhuruesve të filmave. Megjithatë, shitja e biletave nuk ishte e mjaftueshme për t’i kompensuar fillimet zhgënjyese të filmave të rinj të porsaardhur të profilit të lartë, "Charlie’s Angels" dhe "The Good Liar", duke i ulur inkasimet në biletarinë vendase për më shumë se 6% krahasuar me vitin e kaluar, sipas Comscore.

Image

Komedia aksion e Sonyt “Charlie’s Angels” i inkasoi vetëm 8.6 milionë dollarë, duke zbritur në vendin e tretë pas dramës së luftës së Lionsgate, "Midway" (8.75 milionë dollarë) dhe pak para filmit familjar të Paramount, "Playing With Fire" (8.5 milionë dollarë). Ndërkohë, trileri i Warner Bros. "The Good Liar" mezi hyri në top 10-shen e parë, duke i inkasuar vetëm 5.6 milionë dollarë nga 2,439 kinema.

“Ford v Ferrari” i joshi kryesisht shikuesit më të moshuar meshkuj: Meshkujt përbënin 62% të blerësve të biletave, ndërsa afro 80% ishin mbi moshën 25 vjeçare. Publiku e shpërbleu filmin me një vlerësim të rrallë CinemaScore prej A+, një shenjë kjo që drama garuese pritet ta ketë një jetëgjatësi më të gjatë në kinema, shkruan KOHA Ditore. Me produksion të Chernin Entertainment, filmi e ka pasur një kosto prej 100 milionë dollarësh dhe do t’i duhet një shtytje nga filmdashësit ndërkombëtarë për ta kthyer investimin dhe për të sjellë profit. “Ford v Ferrari” filloi me 21 milionë dollarë në biletaritë e huaja këtë fundjavë, duke e ngritur vlerën e tij globale në 52.4 milionë dollarë.