Showbiz

Rod Stewart proteston kundër shpifjeve për modelin e hekurudhës

Rod Stewart ka telefonuar në një emision në radion britanike për ta korrigjuar sugjerimin e prezantuesit se ai nuk e ka bërë vetë modelin gjigant të hekurudhës.

Në një intervistë për revistën “Railway Modeller” këtë javë, Rod zbuloi se në trenin e tij prej 139.35 metër katrorë ai i ka kaluar më shumë se dy dekada (rreth 23 vjet) duke e ndërtuar në katin e tretë të rezidencës së tij në California.

Megjithatë, prezantuesi i BBC Radio 2, Jeremy Vine, nuk ishte i impresionuar pasi i pa fotot e trenit, i cili dukej si Manhattani dhe Chicago pas luftës, duke pretenduar gjatë emisionit të tij të mërkurën se nuk mund të ishte e gjithë puna e vetë e rockerit.

Pasi u tha se puna e tij e vështirë ishte vënë në pyetje nga bashkëshortja e tij Penny Lancaster, e cila po dëgjonte, Rod telefonoi në emision për të protestuar, duke thënë se ai i kishte përfunduar të gjitha vetë përveç pjesës elektrike.

"Do të thosha se 90 për qind të saj e ndërtova vetë, e vetmja gjë në të cilën nuk isha shumë i mirë dhe akoma nuk jam është rryma elektrike, kështu që e angazhova dikë tjetër që ta bënte atë", shpjegoi krijuesi i “hitit Maggie May”. "E fillova atë 23 vjet më parë... Kam punuar në të gjatë gjithë jetës sime."

I zënë në befasi, Jeremy tha se ai vetëm dyshonte në muzikantin 74-vjeçar, sepse vendi, i cili përmban rrokaqiej të pikturuar me dorë dhe madje ka edhe mbeturina në rrugët e tij, ishte shumë "i madh".

Duke sqaruar se tani është "përfunduar", Rod vazhdoi ta shpjegojë krenarinë e tij që hobi i tij e kishte marrë aq shumë vëmendjen e mediave, shkruan KOHA Ditore.

"Është vërtet e zhurmshme, sepse kemi efekte të tingullit kur trenat kalojnë nëpër qytet, ka një tingull të qytetit të New Yorkut, ata kalojnë nëpër vend, ka zogj që këndojnë, është mjaft e jashtëzakonshme, jam shumë krenar për të dhe jam shumë krenar për vëmendjen që e ka marrë tani", tha ai. "Shumë njerëz qeshin me faktin se është një hobi qesharak, por është një hobi i mrekullueshëm".