Showbiz

Justin Bieber sfidohet për boks nga youtuberi KSI

Justin Bieber është ylli i radhës i sfiduar nga youtuberi britanik KSI, pasi që ai e rrahu kolegun e tij dhe yll i internetit, Logan Paul, në një ballafaqim që arriti publicitet të lartë.

Bieber e ndoqi luftimin në Qendrën Staples të Los Angeles të shtunën (9 nëntor) dhe e kritikoi rezultatin e vendimit të ndarë, duke e mbështetur Paulin dhe duke shkruar, "REALITETI .. LOGAN PAUL ËSHTË KAMPION", në një postim në Instagram pas luftimit, shkruan KOHA Ditore.

KSI, emri i vërtetë i të cilit është Olajide Olayinka Williams Olatunji, tani dëshiron të luftojë me këngëtarin e “Sorry”, nëse ai pajtohet, por mendon se meçi do të ishte një mospërputhje pasi që ai do ta "shkatërronte" yllin e popit.

"Nëse Justin Bieber në fakt dëshiron të ndeshet me mua, atëherë padyshim që do ta mundësonim këtë", tha ai gjatë një interviste në emisionin e mëngjesit në Britani, “Good Morning Britain”. "Justin Bieber, do ta shkatërroja atë, nuk ka kuptim. Justin Bieber nuk është asgjë. Ai nuk di si të luftojë, ai nuk di se si të bëjë asgjë luftarake. Ai vetëm duhet të këndojë".

Reperi aspirues KSI gjithashtu dëshiron ta “luftojë” Bieberin në sferën e tij muzikore, pasi që po planifikon ta përdorë karrierën e tij në YouTube për t’i promovuar këngët e tij.

"Për mua, do të përqendrohem në muzikën time. Së fundmi e kam publikuar një këngë... sa u përket shifrave, kënga po kalon mirë", shtoi ai. "Muzika është gjithmonë një pjesë e madhe e imja".

Bieber më parë ka shprehur interesim që të hyjë në ring, duke i kërkuar shefit të Ultimate Fighting Championship Dana White që ta promovonte një meç me Tom Cruise. Ky meç deri më tani nuk ka arritur të materializohet, pavarësisht se legjenda e boksit Floyd Mayweather gjithashtu ofroi ta promovonte meçin.