Bota e breakdance bëhet me kampionë të rinj

Bota e breakdance bëhet me kampionë të rinj

12 November 2019 19:48

Me fitoren e holandezit Menno në konkurrencën për meshkuj, ruses Kastet në atë për femra, në qytetin e Indisë Mumbai të shtunën e kaluar, ka përfunduar edicioni i 16-të i Red Bull BC One, garës më të madhe dhe më prestigjioze në botë të breakdance.

Menno dhe Kastet fituan në garën me mbi 70 kërcimtarë nga 30 rajone të botës, duke i fituar titujt e kampionëve botërorë Red Bull BC One.

Image

Për holandezin, ky është tashmë titulli i tretë i më të mirit në botë, pasi që ishte më i miri në garat Red Bull BC One në vitet 2014 dhe 2017.

"Kjo fitore do të thotë shumë për mua. Ajo është një përfundim i përkryer dhe për të kam punuar shumë. Luftimet nuk ishin të lehta, i kishim vetëm tri raunde dhe kundërshtari im e dha maksimumin. Jam shumë i lumtur që po e kthej titullin në shtëpi, dhe ia përkushtoj atë fëmijës tim të ardhshëm", tha Menno pas fitores në finale.

Menno filloi të merrej me breakdance në vitin 2001 në qytetin e tij të lindjes Tilburg dhe që prej asaj kohe ka fituar pothuajse gjithçka që mund të fitohet në botën e breakdance, përfshirë edhe kampionatin e parë zyrtar botëror të breakdance të mbajtur këtë vit.

Kampionia në konkurrencën për femra, Kastet, nga ana tjetër, ka shumë më pak tituj nga garat e mëdha, por ajo hyri në botën e breakdance në vitin 2010 në moshën 12-vjeçare. Kjo 21-vjeçare nga Krasnodari rus tani studion në akademinë e arteve, dhe e pret një e ardhme e ndritshme si në breakdance ashtu edhe në art, shkruan KOHA Ditore.

"Nuk kam menduar për titullin. Mendimet e mia ishin që të piqem në të kuptuarit tim të vallëzimit dhe kulturës së hip-hopit, por kur e mora titullin, isha vërtet e lumtur. Vallëzimi bëhet më i mirë kur punoni shumë dhe mësoni më shumë për veten tuaj", tha Kastet.

Image

Kampionatet e mëparshme botërore Red Bull BC One janë zhvilluar në disa nga qytetet më të mëdha në botë, si Paris, New York dhe Tokyo, ndërsa finalja e sivjetme është e para që është mbajtur ndonjëherë në Indi.

Ballafaqimet në finale u ndoqën nga mijëra spektatorë në sallën “National Sports Club of India”, ndërsa ky vend i madh konsiderohet si një nga skenat me rritjen më të shpejtë të hip-hopit në botë. Në pjesën revyale të programit interpretuan disa nga emrat më të mëdhenj në Indi, si Dhol Dhamaal, V Unbeatable, si dhe legjenda e repit DIVINE.

Image

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme