Showbiz

Michael Mann do ta bëjë regjinë e dramës së re “Tokyo Vice” për HBO Max

Descriptive Text

Filmbërësi fitues i çmimeve Michael Mann e ka nënshkruar kontratën për regjinë e pilot episodit të dramës së re kriminalistike Tokyo Vice, e cila do të transmetohet në shërbimin streaming HBO Max.

Ngjarja e serisë do të bëjë fjalë për rutinën e përditshme të gazetarit (Ansel Elgort) i cili futet në njësinë policore Tokio Vice për ta zbuluar korrupsionin, por çdo ditë e më shumë nëntoka e Tokyos do ta tërheqë dhe ndryshojë gjithnjë e më shumë deri sa të mos dijë më kë kujt t’i besojë.

Seriali është punuar sipas memoareve me po të njëjtin titull të Jake Adelstein i cili shkroi për vitet të cilat i kaloi në Tokyo si reporteri i parë jo-japonez i cili ka punuar për një nga gazetat më të mëdha të Japonisë, Yomiuri Shinbun, shkruan KOHA Ditore. Në vitin 2013 u paralajmërua se do të xhirohet filmi për të cilin Adelstein e kishte shkruar skenarin me J. T. Rogers, ndërsa regjinë duhej ta bënte Anthony Mandler, dhe në rolin kryesor duhej të luante Daniel Radcliffe, por projekti dështoi. Në qershor të këtij viti, u njoftua se megjithatë do të bëhet adaptimi televiziv i memoareve, një serial me 10 episode ku roli kryesor i takoi Ansel Elgortit, J. T. Rogers është përgjegjës për skenarin, ndërsa Ken Watanabe do të shfaqet në njërin prej roleve.

Filmi i fundit regjinë e të cilit e bëri Mann ishte trileri kriminalistik “Blackhat” në të cilin rolin kryesor e luajti Chris Hemsworth, por i cili nuk kaloi mirë tek kritika dhe publiku. Në kinema më 14 nëntor mbërrinë drama biografike Ford v Ferrari për të cilën ai është producent ekzekutiv (duhej ta bënte regjinë, por e bëri James Mangold) dhe e cila është në plan që nga viti 2015. Mann po punon edhe në mini-serinë biografike “Hue 1968” e cila u paralajmërua në vitin 2017 dhe është ende në para-produksion.