Showbiz

Mbërrin vazhdimi i “Murder Mystery”

Si duket Netflixi është duke punuar në vazhdimin e filmit Murder Mystery, kështu që është koha t’i filloni përgatitjet për një udhëtim tjetër në botën e krimeve misterioze.

Me regji të Kyle Newacheck dhe me Adam Sandler, Jennifer Aniston, Luke Evans dhe Gemma Aterton në rolet kryesore, komedia e sivjetme i përcjell aventurat e Nick (Sandler) dhe Audrey (Aniston) Spitz, çiftit të moshës së mesme të cilët më në fund nisen në muajin e tyre të mjaltit evropian, por përfshihen në një vrasje misterioze.

Këto ditë ka filluar të qarkullojë lajmi në internet se vazhdimi tashmë është planifikuar, por që aktualisht është në një fazë shumë të hershme të zhvillimit, gjë që nuk është për t’u habitur, pasi që filmi i parë është në dispozicion nga qershori i këtij viti, shkruan KOHA Ditore. Edhe pse Netflixi përndryshe është mjaft misterioz për sa i përket shikueshmërisë, Murder Mystery raportohet se u shikua nga mbi 31 milion shikues në 72 orët e para, një sukses ky i mjaftueshëm për ta xhiruar vazhdimin.

James Vanderbilt, i cili e shkroi pjesën e parë, është përgjegjës për skenarin, ndërkohë që në vazhdim pritet edhe kthimi i Sandler dhe Aniston, megjithëse ky informacion ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Ende nuk dihet se kur do të mbërrijë vazhdimi në Netflix.