Showbiz

Joe Satriani e ripublikon “Surfing With the Alien” pa solo

Joe Satriani e ka paralajmëruar ripublikimin e albumit të tij ikonik “Surfing With the Alien”, i cili do të arrijë pa solot e kitarës.

LP-ja e dyfishtë, e limituar në 3,500 kopje, e përmban albumin origjinal të rimasteruar në një disk, me versionet “Stripped - The Backing Track” të secilës këngë në tjetrën, shkruan KOHA Ditore. Albumi planifikohet të dalë në treg në Black Friday (Premten e zezë) të Record Store Day, më 29 nëntor, me qëllim të demonstrimit të cilësisë së këngëve që qëndrojnë papa veprës kryesore të Satrianit.

"Nga publikimi origjinal në vitin 1987, albumi “Surfing With the Alien” e karakterizoi Joe Satrianin si një nga kitaristët më të mirë të gjeneratës, falë këngëve të paharrueshme si 'Satch Boogie' dhe 'Always With Me, Always With You'," thuhet në një deklaratë në uebfaqen e Record Store Day.

"Më shumë se 30 vjet pasi që Surfing With the Alien e fitoi statusin platinum, i fitoi dy nominime për “Grammy” dhe qëndroi në Billboard 200 për më shumë se një vit, albumi origjinal i rimasteruar është çiftuar në vinyl me një prezantim unik të albumit pa kitarën e tij dalluese - një shans ky për fansat e kalitur dhe kitaristët aspirues që ta vlerësojnë atë që e bën këtë album të domosdoshëm për kitaristët në të gjithë botën."

Në vitin 2017, Satriani rikujtoi se si u kompletua albumi, duke thënë për MusicRadar se ishte "bërë me një dashuri të plotë me vetëdije për gjërat që doja t’i festoja në kitarë, dhe gjithashtu u bë nën presion të madh dhe ndjenjën që askush nuk do ta dëgjonte dhe se do të dëbohesha nga qyteti sapo ta publikoja albumin. Ishte nën një klimë të tillë që nuk dukej se dikush do ta pranonte një album të tillë. Kështu që ishte një befasi e mrekullueshme kur u pranua krahëhapur, sepse nuk ishte një album i llogaritur dhe u sakrifikua shumë për ta realizuar atë."