Showbiz

Seriali i “Stranger Things” bëhet me sezonin e katërt

Ka mbërritur një lajm i shkëlqyer nga Netflixi. Seria horror “Stranger Things” do ta ketë sezonin e katërt plus me ç’rast vëllezërit Duffer (Matt dhe Ross Duffer), krijuesit dhe showrunnerët e serialit, e kanë nënshkruar një kontratë shumëvjeçare me Netflixin për t'u angazhuar në filma dhe seriale të reja.

Për të mos e lënë gjithçka vetëm në nivel të deklaratës, nga Netflixi erdhi njoftimi për sezonin e ri.

Siç mund të shihet, sezoni i katërt me siguri nuk do të jetë i vendosur në qytetin fiktiv të Hawkins, në Indiana, i cili përkon me finalen e sezonit të tretë. Seriali u krijua nga vëllezërit e lartpërmendur Duffer, ndërsa sezoni i tretë arriti në shërbimin e njohur për streaming më 4 korrik. Në rolet kryesore luajnë Millie Bobby Brown, David Harbor, Finn Wolfhard, Noah Schnapp, Winona Ryder, Charlie Heaton, Natalia Dyer, Joe Keery, Gaten Matarazzo, Sadie Sink, Caleb McLaughlin, Maya Hawke dhe Priah Ferguson, shkruan KOHA Ditore.

"Vëllezërit Duffer kanë arritur ta pushtojnë botën me serinë Stranger Things dhe jemi shumë të lumtur që po vazhdojmë të punojmë me ta për t’ua sjellë shikuesve projektet dhe idetë e tyre të reja. Mezi po presim të shohim se çfarë do të na sjellin vëllezërit kur të largohemi nga kjo botë e famshme e frikshme", tha shefi i Netflixit për përmbajtje Ted Sarandos në një deklaratë zyrtare. Vëllezërit Duffer kanë konfirmuar se janë të entuziazmuar që po vazhdojnë të punojnë me Netflixin dhe konstatuan se bashkëpunimi me ta ua ka ndryshuar jetën.