Showbiz

“The Batman” e dëshiron Jonah Hill për keqbërës, Jeffrey Wright si Jim Gordon

Batmani i ri me Robert Pattinson ndoshta e ka gjetur keqbërësin e vet kryesor. “Variety” ka shkruar se Jonah Hill është në bisedime për t'iu bashkuar filmit The Batman, me regji të Matt Reeves, dhe atë në rolin e keqbërësit, por ende nuk dihet nëse bëhet fjalë për Pinguinin apo Riddlerin.

Burimet thonë se producentët gjithmonë e kanë dashur Hillin për projekt, por se ata prisnin që më parë të definohet se kush do të jetë Batmani. Riddlerin në vitet 1960-ta në serinë Batman e luajtën Frank Gorshin dhe Josh Astin, Jim Carrey e ekranizoi këtë personazh në filmin e vitit 1995, Batman Forever, ndërsa Cory Michael Smith në serinë Gotham, e cila është transmetuar në Fox nga viti 2014 deri në prill të këtij viti.

Menjëherë pas lajmit për angazhimin potencial të Hill, u mësua se aktori po i kërkonte 10 milionë dollarë për rolin e tij, dhe se kjo shumë është pothuajse dyfishi i asaj që do ta marrë Pattinsoni i cili do të shfaqet në rolin e Bruce Wayne.

Përveç Hillit është mësuar edhe një emër i ri nga aktorët. Jeffrey Wright do të duhej ta luajë policin Jim Gordon (atë është dashur ta luante Mahershala Ali i cili u zgjodh për Blade-in e ri).

Reeves e trashëgoi rolin e regjisorit nga Ben Afflecku në janar të vitit 2017 kur ai hoqi dorë nga projekti, dhe që nga ajo kohë ka punuar në film dhe ka mundur ta zgjedhë se kush do ta luajë Batmanin, shkruan KOHA Ditore. Para-produksioni i filmit duhej të kishte filluar tashmë, por ende nuk ka asnjë informacion për fillimin zyrtar. Xhirimet duhet të fillojnë më vonë këtë vit ose në fillim të vitit të ardhshëm, me ose pa Hillin. Thashethemet thonë se në film do t’i shohim gjashtë keqbërës: Pinguinin, Riddlerin, Catwoman, Firefly, Two-Face (Harvey Dent), dhe Mad Hatter.

Image

Hillin kemi pasur rastin ta shohim në shumë hite filmike (21 Jump Street, The Wolf of Wall Street, War Dogs) ndërsa pas kësaj ka pranuar punë prapa kamerave dhe i zgjidhte me kujdes projektet, ndërsa kohët e fundit kemi mundur ta shohim me Emma Stone në serinë e Netflixit, “Maniac”, dhe në filmin “The Beach Bum” me Matthew McConaughey. Wrightin mund ta shohim në filmin “The Goldfinchështë pjesë e kastit të përhershëm të serialit të HBO-së “Westworld”, ndërsa vitin e ardhshëm do ta shohim në Bondin e ri, “No Time to Die”.

Filmin The Batman e presim në kinema më 25 qershor 2021. Nëse filmi e arrin suksesin e dëshiruar, Reevesit dhe ekipit do t’u hapet rruga për trilogjinë e Batmanit në të cilën do të duhet t’i takojmë armiqtë më të famshëm dhe më të mëdhenj të Gothamit.