Showbiz

Margot Robbie po punon në adaptimin e ri të stripit "Tank Girl"

Si duket Tank Girl do ta ketë edhe një shans për sukses filmik. Margot Robbie dhe shtëpia e saj e produksionit LuckyChap Entertainment raportohet se po planifikojnë ta bëjnë një film të ri për Tank Girl, sipas njërit prej krijuesve të stripit Alan Martin.

Martin e postoi një tweet në të cilin zbulon se kompania e produksionit LuckyChap i ka marrë të drejtat nga MGM dhe se filmi është në zhvillim tash e ca kohë. Regjinë me gjasë do ta bëjë Miles Joris-Peyrafitte.

Image

Robbie tashmë ka përvojë me adaptimet e stripave, meqë e kemi parë edhe në rolin e Harley Quinn, por ka gjasa që në këtë film dikush tjetër ta marrë rolin kryesor, shkruan KOHA Ditore. Vetëm kur Robbie ta lexojë skenarin, ajo do të vendosë nëse do ta marrë rolin.

Martin dhe Jamie Hewlett e krijuan për herë të parë stripin për Tank Girl në vitin 1988, pas së cilës ai shpejt u bë favorit në mesin e adhuruesve të stripave. Ngjarja bën fjalë për Rebecca Buck, e lindur me emrin Fonzie Rebecca Buckler, e cila jeton në tank. Ajo e merr përsipër një seri misionesh për një organizatë të dyshimtë përpara se ta bëjë një gabim serioz dhe të bëhet e arratisur për shkak të preferencave të saj seksuale dhe abuzimit me substanca të ndryshme.

Në filmin origjinal, i cili doli në vitin 1995, Lori Petty e luan rolin kryesor. Filmi nuk i mahniti kritikët, dhe as shifrat e inkasimeve kinematografike nuk ishin mbresëlënëse. Shpresojmë që ky film i ri do të jetë më i mirë. Detajet e produksionit nuk dihen ende.