Showbiz

Maska e Darth Vader mund të shitet në ankand për gjysmë milioni dollarë

Maska dhe helmeta e rrallë e Darth Vader, të bartura në një nga filmat e mëhershëm të Star Wars, do të ofrohen në ankand në fund të këtij muaji së bashku me syzet e Harry Potter.

Dy kostume nga filmi "Titanic", të veshura nga yjet Kate Winslet (43) dhe Leonardo DiCaprio (44), së bashku me kostumin e Dorothy nga "Magjistari i Ozit" gjithashtu janë në ankand dhe do të ofrohen nga shtëpia e ankandit Profiles in History.

Vlerësohet se maska dhe helmeta e Darth Vader do të shiten për të paktën 250,000 dollarë, dhe maksimalisht deri në 450,000 dollarë, që do të thotë se ato mund ta arrijnë një nga çmimet më të larta ndonjëherë për artikujt nga koleksioni i Star Wars.

Image

Shtëpia e ankandeve thekson se maska dhe helmeta janë bartur në setin e episodit "The Empire Strikes Back", shkruan KOHA Ditore. Ato i kishte bartur aktori britanik David Prowse, 84 vjeç, i cili e luajti fizikisht keqbërësin në tre filmat e parë të sagës fanta-shkencore. Zërin e Darth Vader e huazoi aktori James Earl Jones (88).

“Është jashtëzakonisht e vështirë të gjendet çfarëdo qoftë nga trilogjia origjinale”, - tha Brian Chanes nga shtëpia e ankandeve.

Pritet që syzet që i kishte bartur Daniel Radcliffe (30) në filmin e parë Harry Potter and the Sorcerer's Stone në vitin 2001 do të kushtojnë rreth 30,000 dollarë.

Automjeti lunar i drejtuar nga aktori Sean Connery (89) në filmin e vitit 1971 për James Bondin "Diamonds Are Forever" vlerësohet në 600,000 dollarë. Fustani bardhë e zi të cilin e kishte veshur dublerja e Judy Garland në filmin "Magjistari nga Ozi" në vitin 1939 mund të shitet midis 350,000 dhe 500,000 dollarë. Në ankandin i cili mbahet më 25 dhe 26 shtator në Los Angeles do të ofrohen gjithashtu artikuj nga "Alien", "King Kong", "Star Trek" dhe "Moonraker".