Showbiz

Taika Waititi planifikon film të ri

Descriptive Text

Në Comic-Conin e sivjetëm, Marvel konfirmoi se skenaristi dhe regjisori Taika Waititi do të kthehet në rolin e regjisorit për filmin Thor: Love and Thunder, ndërsa tani mësojmë se në ndërkohë ai planifikon ta bëjë edhe një film.

Deadline raporton se filmi më i ri i regjisorit nga Zelanda e Re do të jetë adaptim i dokumentarit të vitit 2014, “Next Goal Wins”.

Ngjarja bën fjalë për trajnerin holandez, Thomas Rongen, i cili kapërdin një kafshatë goxha të madhe kur vendos që ekipin e futbollit të Samoas Amerikane ta shndërrojë nga humbës të përjetshëm në fitues.

Andy Serkis dhe ekipi i tij nga Imaginarium, i kanë fituar të drejtat e dokumentarit të Mike Brett dhe Steve Jamison qysh në vitin 2015, ndërsa tani më në fund e kanë arritur një marrëveshje me Waititi për regji, shkruan KOHA Ditore. Ata synojnë t’i fillojnë xhirimet brenda dy muajve të ardhshëm, përpara se të fillojë produksioni i Thorit të ri, i cili pritet në kinema në nëntor të vitit 2021.

Por para këtyre të dyve, jemi duke e pritur me padurim filmin Jojo Rabbit, i cili gjithashtu bëhet me regji të Waititi dhe në të ai e luan Adolf Hitlerin. Filmi do të arrijë në fund të dhjetorit të këtij viti ose në fillim të janarit të vitit të ardhshëm.