Showbiz

Robert Pattinson dhe Willem Dafoe në trilerin e tensionuar për “The Lighthouse”

Robert Pattinson dhe Willem Dafoe luftojnë me shëndetin e tyre mendor në një ishull të braktisur në trilerin e parë për horror-dramën fantastike “The Lighthouse”.

Filmi e tregon historinë e dy rojave të farit në një ishull të largët dhe misterioz, armiqtë më të mëdhenj të të cilëve bëhen vetmia dhe frikët e tyre më të mëdha, ndërsa ngjarja është e vendosur në vitin 1890.

Image

Thomas (Dafoe) dhe Ephraim (Pattinson) janë të vetmit në ishull, duke e kaluar kohën me alkool, duke e luftuar motin e stuhishëm, duke kërcyer, bërtitur, duke u ngufatur dhe endur nëpër farin e braktisur, shkruan KOHA Ditore. Ngjarja në dukje e zakonshme ndërpritet nga shfaqjet surrealiste të një femre misterioze (Valeriia Karaman) nën ujë dhe një përbindëshi të çuditshëm, i cili shfaqet mbi karakterin e Pattinsonit. Histeria dhe vetmia bëjnë që Thomas ta humbasë konceptin e kohës.

Regjisori i filmit horror “The Witch”, Robert Eggers, e bën regjinë edhe të këtij filmi, dhe e ka shkruar skenarin me vëllanë e tij Max Eggers. Filmi e pati premierën në maj, në Festivalin e Filmit në Kanë, ku u prit mirë nga kritikët që e vlerësoi aktrimin e dy aktorëve, si dhe aspektet regjisoriale dhe teknike. Filmi do të shfaqet gjithashtu në Toronto, në shtator, në festivalin ndërkombëtar.

“The Lighthouse” mbërrin në kinematë amerikane në mes të tetorit.