Showbiz

“Avengers: Endgame” e kalon “Avatarin” dhe bëhet filmi më fitimprurës i të gjitha kohërave

“Avengers: Endgame” e ka tejkaluar “Avatarin” duke u bërë filmi me të ardhura më të larta i të gjitha kohërave.

Drejtori i Marvel, Kevin Feige e bëri lajmin zyrtar në panelin e studios Comic-Con në San Diego, California të shtunën, duke njoftuar se hiti filmik do ta thyejë rekordin botëror të biletarive nga Avatari prej 2,78 miliardë dollarë gjatë fundjavës, duke i dhënë fund mbretërimit nëntëvjeçar të filmit me regji të James Cameron, shkruan KOHA Ditore.

"Duke ju falënderuar juve, Avengers: Endgame është filmi më i madh i të gjitha kohërave", iu tha Feige fansave në Hall H të Comic-Con.

Hiti në fjalë e tejkaloi rekordin e Avatarit brenda vetëm 13 javëve dhe kjo vjen derisa drejtorët në kompaninë simotër të Marvel, Disney, po e festojnë një tjetër fundjavë rekord-thyese në Amerikën Veriore, pasi The Lion King ka arritur në krye të biletarive duke u bërë hapja më e madhe e të gjitha kohërave për muajin korrik.