Showbiz

Ndahet nga jeta babi i Eminemit të cilin s’e takoi kurrë

Babai biologjik i Eminemit është ndarë nga jeta në moshën 67-vjeçare.

Marshall Bruce Mathers Jr. vdiq këtë javë në Fort Wayne, Indiana. Sipas një burimi, ai pësoi atak në zemër kur ndodhej në shtëpi.

Eminem, emri i vërtetë i të cilit është Marshall Bruce Mathers III, gjithmonë ka treguar hapur zemërimin e tij ndaj babait me të cilin nuk u takua kurrë personalisht, transmeton oranews.

Këngët e tij të njohura si “My Name Is” dhe “Cleanin' Out My Closet” reflektojnë ndjenjat e tij nga babait.

Mamaja e Eminemit u martua me Brucen kur ishte 22-vjeçe dhe dy vite më vonë solli në jetë reperin.

Ata u ndanë menjëherë pas lindjes së tij. Dhe Eminemi, së bashku me nënën e tij u vendosën në Detroit ndërsa Bruce u shpërngul në Kaliforni ku bëri 2 fëmijë të tjerë.

Eminemi tha në intervista se gjithmonë i dërgonte letra kur ishte fëmijë por gjithmonë i ktheheshin mbrapsht pa asnjë përgjigje. Reperi u shpreh se Bruce telefononte ndonjëherë anëtarët e familjes por asnjëherë nuk foli me të.

Në vitin 2001, Bruce publikoi një letër drejtuar djalit të tij në një gazetë ku shpjegonte anën e tij të historisë, duke thënë se ishte nëna e Eminemit që e mbajti larg.

Megjithatë, Eminemi me sa duket nuk kontaktoi kurrë me të atin për t’u pajtuar.