Showbiz

Shitet pistoleta me të cilën ishte vetëvrarë Van Goghu

Pistoleta me të cilën ishte vetëvrarë piktori holandez Vincent Van Gogh është shitur në ankand për një çmim tre herë më të lartë se sa pritej.

Pistoleta e ndryshkur u ble nga një koleksionist anonim nëpërmjet një ankandi telefonik. Pistoleta u gjet nga një fermer në vitin 1965 pranë fshatit ku Van Gogh i kaloi ditët e tij të fundit. Ajo i përgjigjej periudhës së vetëvrasjes, si dhe kalibrit të plumbit me të cilin u vra Van Goghu.

Megjithatë, ekzistojnë dyshime për autenticitetin e pistoletës, shkruan KOHA Ditore.

Më 27 korrik 1890, artisti i famshëm hyri në fushën pranë Auvers-sur-Oise, një fshat ky i cili ndodhet jo shumë larg Parisit, dhe e qëlloi veten me një plumb në kraharor. Pas disa ditësh vdiq nga plagët.

Më shumë se shtatë dekada më vonë u zbulua pistoleta e ndryshkur në fushën prapa shtëpisë ku po qëndronte Van Goghu. Ajo kishte qëndruar në tokë 50 deri 80 vjet. Paraprakisht, pistoleta ishte ruajtur në Muzeun Van Gogh në Amsterdam.

Megjithatë, autenticitetin e pistoletës e ka vënë në pikëpyetje Instituti Van Gogh, duke argumentuar se asgjë nuk i lidh mbetjet e pistoletës me artistin dhe se ankandi është në fakt komercializim i tragjedisë.

Pronari i ri i ka paguar 162.500 euro për pistoletën.