Showbiz

Shefi i Instagramit i zhgënjyer që Selena Gomez e ka fshirë aplikacionin e popullarizuar

Pasi që Selena Gomez tha se e kishte fshirë aplikacionin Instagram nga telefoni i saj sepse beson se rrjetet sociale janë të dëmshme për të rinjtë, shefi i Instagramit, Adam Mosseri, shprehu zhgënjimin e madh që personi i tretë më i ndjekur në botë ka hequr dorë nga ky aplikacion i popullarizuar.

Gomez kohët e fundit tha se po tërhiqet nga rrjetet sociale, sepse ato po e dëmtojnë shëndetin e saj mendor.

"Kam kaluar shumë kohë në Instagram me ndjekësit e mi, por mendoj se është bërë e pashëndetshme për të gjithë të rinjtë, përfshirë edhe mua, që të kalojmë kohë duke u përqendruar në komentet dhe çdo gjë që ndodhet brenda. Kjo ka ndikuar në masë të madhe në mua dhe më bënte depresive. U ndjeva e pakënaqur dhe e shikoja ndryshe veten time dhe shumë gjëra të tjera dhe për këtë arsye nuk kam më Instagram në telefonin tim. Atë e kam në telefonat e njerëzve të tjerë dhe kur ndjej se duhet të ndaj diçka me fansat e mi, këtë e bëj tek ata", tha Gomez.

Mosseri theksoi se u zhgënjye kur e dëgjoi këngëtaren dhe aktoren e re, shkruan KOHA Ditore.

"Nuk do ta ndaja përvojën e Selena Gomez në platformë me atë që mund të jetë përvoja ime apo e juaja. Ajo i ka më shumë se njëqind milionë ndjekës. Ne nuk duam që njerëzit të ndjehen të depresionuar në platformën tonë, por nuk mund t’i ndalojmë njerëzit që të komentojnë gjëra të këqija" tha Mosseri.

Kur bëhet fjalë për rastin e Gomez, shefi i Instagramit theksoi se platforma e popullarizuar duhet të kujdeset që njerëzit si ajo të mos depresionohen nga koha e kaluar në platformë.

"Megjithatë, veglat që duhet t’i zhvillojmë për një djalë 15-vjeçar apo vajzë 14-vjeçare janë shumë të ndryshme. Do të donim të dëgjojmë nga Gomez se si mund të përmirësohet Instagrami. Ne i duam kritikat, ne duam të bisedojmë", tha Mosseri.