Showbiz

Një tjetër fundjavë e keqe për vazhdimet: zhgënjejnë “Men In Black” dhe “Shaft”

Ka kaluar edhe një fundjavë, e cila nuk u solli fat vazhdimeve të filmave të njohur.

Vazhdimi i ri i filmit “Men In Black” nga Sony, me titullin “Men In Black: International” filloi me shfaqjen në kinematë e gjithë botës dhe sipas të dhënave fillestare në tregun vendor (SHBA dhe Kanada) ai pati fillim goxha të keq, shumë më keq se pritjet: vetëm 28.5 milionë dollarë. Në pjesën tjetër të botës, ai i fitoi rreth 73 milionë dollarë (gjithsej 102 milionë), ndërsa filmi është bërë me një buxhet prej 110 milionë dollarësh.

Kjo është larg hapja më e keqe për një film në serinë Men In Black: tre filmat e parë në fundjavën e parë i fituan mbi 50 milionë dollarë. Nga tre filmat më së shumti inkasoi filmi i parë Men in Black në vitin 1997 i cili gjithsej në tërë botën i inkasoi rreth 492 milionë dollarë, i pasuar nga Men In Black 2 në vitin 2002 me 295 milionë dollarë, dhe në fund Men In Black 3 nga viti 2012 me 199 milionë dollarë.

Men In Black: International vjen me ekipin e ri të cilin e udhëheqin Chris Hemsworth dhe Tessa Thompson, ndërsa këtë herë agjentët përballen me kërcënimin më të madh deri më tani: duhet ta zbulojnë armikun i cili gjendet në radhët e tyre, shkruan KOHA Ditore.

Në kinematë amerikane ka mbërritur edhe “Shaft”, filmi në të cilin mund t’i shihni tre gjenerata të familjes Shaft: origjinalin John Shaft të cilin e luan Richard Roundtree (Shaft nga viti 1971), nipin e tij të cilin e luan Samuel L. Jackson (Shafti nga viti 2000) dhe djalin e Shaftit, JJ, të cilin e luan Jesse T. Usher.

Ky Shaft duhej të ishte ringjallje e franshizës dhe t’i tërheqë fansat e filmave të mëparshëm, por kjo nuk funksionoi: Warner Bros nuk priste të ardhura të mëdha, por një shumë modeste prej 15 milionë dollarësh. Shafti i ri në fundjavën e tij të parë i fitoi vetëm 8 milionë dollarë, ndërsa kritikët nuk i dhanë ndonjë vlerësim të mirë.

Shaft shfaqet vetëm në kinematë amerikane, në pjesën tjetër të botës do të jetë në dispozicion në Netflix ku do të shfaqet dy javë pas premierës amerikane.