Showbiz

Italianët që u prezantuan si George Clooney arrestohen pas nëntë vjetësh

Dy shtetas italianë të cilët e kanë përdorur emrin e aktorit amerikan George Clooney për ta promovuar biznesin e modës janë arrestuar në Tajlandë pas nëntë vjetësh në arrati, raporton BBC.

Francesco Galdelli (58) dhe Vanja Goffi (45) u vendosën në listën e kuqe të Interpolit në vitin 2013. Aktori George Clooney i paditi ata dhe dëshmoi kundër tyre në gjykatë në Itali në vitin 2010, duke thënë se ata e përdorën emrin e tij me qëllim të mashtrimit. Ata gjithashtu akuzohen për një varg mashtrimesh të tjera në Itali.

Galdelli dhe Goffi ikën në vendin e tyre të lindjes për ta shmangur arrestimin, dhe fituan pseudonimin "Bonnie dhe Clyde italianë" sipas çiftit të famshëm amerikan të gangsterëve.

Image

Galdelli dhe Goffi u arrestuan të shtunën në një aksion të përbashkët të autoriteteve tajlandeze dhe italiane në periferi të qytetit tajlandez Pattaya.

"Gjatë marrjes në pyetje Francesco e pranoi se ai ishte prezantuar si George Clooney dhe e kishte filluar biznesin për rroba duke i mashtruar njerëzit që u dërgonin para", tha policia tajlandeze, përcjell KOHA Ditore.

Çifti ka jetuar në Tajlandë që nga viti 2014, ndërsa Galdelli u arrestua po atë vit. Megjithatë, ai u arratis gjatë gjykimit.

Mediat italiane shkruajnë se çifti ka jetuar në Tajlandë duke shitur orë të rreme Rolex nëpërmjet internetit. Ata janë akuzuar për shkelje të ligjit të vizave, dhe do të pasojë ekstradimi.